
Vetëm 6 ditë nga nisja e kampionatit të kategorisë së parë dhe situta tek ekipi i Adës nuk duket aspak normale. Ende nuk dihet se cili do të jetë trajneri që do ta drejtojë atë në ndeshjen e parë ndaj Pogradecit dhe me cilët futbollistë do të paraqitet në fushë. Problemet financiare dhe organizative që po kalon kjo skuadër, kanë krijuar një rrëmujë të vërtetë. Tërheqja e Komunës Velipojë nga financimi i skuadrës ka lënë pasojat e veta megjithatë ndërhyrja e deputetit Tomë Doshi pritet të ndryshojë disa gjëra në aspektin pozitiv. Presidenti Alfred Pjetri po bën maksimumin në këtë periudhë në prag të nisjes së kampionatit, por i vetëm duket se e ka të vështirë. Në stërvitjen e këtyre ditëve të këtij ekipi kanë qenë të pranishëm edhe futbollistë të njohur si Kaçi, Hoti, Pepa etj por ende nuk dihet nëse këta futbollistë do të jenë pjesë e Adës në sezonin e ri. Kjo ngaqë për momentin, skuadra velipojake nuk mund t’u ofrojë shumë nga ana financiare. Stërvitja gjatë kësaj periudhe është drejtuar nga zëvendëstrajneri Etrit Nika dhe me shumë mundësi do të jetë ai që do ta drejtojë skuadrën në sezonin e ri. Megjithatë java në të cilën po hyjmë do të jetë vendimtare për të gjitha këto lëvizje. Velipojakët edhe një sezon më parë, vetëm në javët e fundit kanë arritur të shpëtojnë nga rënia prej kategorisë dhe në fakt pritej që gjërat për sezonin e ri të ishin më mirë por ka ndodhur e kundërta. Kampionati i ri është në prag dhe ndeshja me Pogradecin duhet luajtur patjetër pavarësisht problemeve që mund të ketë Ada.
