Kampionia në fuqi e Shqipërisë në futbollin e femrave, Ada e Velipojës ka arritur edhe fitoren e dytë në kampionat. Pas fitores javën e kaluar ndaj Kinostudios me rezultatin 6-1, sot ajo ka arritur edhe fitoren e dytë. Këtë herë ndaj Shkëndisë së Durrësit, madje me rezultat edhe më të thellë, 9-0. Epërsia e vajzave velipojake ka qenë e madhe dhe që në minutat e para futbollistja kosovare Govori do shënonte golin e parë të ndeshjes dhe do jetë po kjo futbolliste që do të shënonte edhe dy gola të tjerë po në pjesën e parë.
Përveç saj, ka shënuar edhe kosovarja tjetër Berisha dhe në këtë mënyrë, pjesa e parë është mbyllur me fitoren e Adës 4-0. Në të dytën epërsia do të rritej dhe për rrjedhojë do të shënoheshin edhe plot 5 gola të tjerë. Dy prej tyre kanë patur për autore futbollisten Tula, ndërsa të tjerët janë shënuar nga Baro, Shpuza dhe Doçi. Në këtë mënyrë me fitoren e thellë 9-0, Ada pas javës së dytë të kampionatit udhëheq renditjen me 6 pikë duke u rikonfirmuar edhe njëherë si pretendentja kryesore për titullin kampion edhe këtë sezon. Nëse do ia arrinte, ky do ishte titulli I tretë rradhazi për të, megjithatë në ndeshjet e ardhshme pritet një rivalitet I fortë me ekipin e Juban Danjës dhe Tirana AS. Pikërisht përballjet direkte me këto ekipe, do të vendosin gjithçka sa I takon titullit kampion edhe për sivjet.
www.shkodrasport.com