Ada pa trajnerin Samuel Nikaj në pankinë, nuk ka mundur të marrë qoftë edhe një pikë në ndeshjen e djeshme. Ka qenë Himara ajo që ka marrë një tre pikësh të artë në fushën e vështirë të të Velipojës. Ekipi I drejtuar nga Liçaj ka bërë maksimumin në këtë përballje me Adën e cila përveç mungesës së trajnerit të parë të saj Samuel Nika ka patur mungesë edhe të disa lojtarëve titullarë në këtë përballje. Me fitoren e djeshme, himariotëve u janë rikthyer shpresat për një qëndrim në këtë kategori. Pjesa e parë ka qënë më e mirë për vendasit të cilët kanë kërkuar që të shënojnë që në minutat e para të takimit. Megjithatë me kalimin e minutave, djemtë e teknikut vlonjat Liçaj kanë arritur që të kundërpërgjigjen dhe për më tepër të kërkojnë të bëjnë maksimumin në fushën e lojës. Me shifrat e bardha të dy skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë fillon mjaft bukur për miqtë. Në të 47-të minutë është Idrizi I cili pengohet në mënyrë të parregullt nga Arra dhe ekipi himariot përfiton një 11-të metërsh, I cili kthehet në gol nga Gjondeda. Pas kësaj minute loja ndryshon për mirë për miqt që mbrohen fort dhe kunderzbresin rrezikshëm. Pllumbaj provon dyherë me radhë brenda një aksioni, por portieri Xhelilaj, ka treguar vlerat e tij. Në momentin më të mirë për vendasit, pikërisht kur presioni sa vinte dhe rritej ka qenë përsëri Gjondeda që ka shënuar golin e dytë për ekipin e tij pas një aksioni përsonal. Megjithatë vendasit nuk heqin dorë së kërkuari golin dhe ia arrijnë atë me anë të Lifjes, pas një gjuatje të bukur prirtas me portën. Një gol që nuk ka vlejtur shumë për ekipin e drejtuar nga Etrit Nika, I cili ka patur edhe ballafaqimin e parë në krye të ekipit të Adës. Një humbje që mund t’I kushtojë Adës për pjesën e mbetur të kampionatit sepse ajo ende mund të rrezikojë me qëndrimin e saj në kategori.