Skuadra velipojake ka nisur stërvitjen. Në fillim të kësaj jave, trajnerët Samuel Nikaj dhe Etrit Nika kanë bërë apelin e parë të futbollistëve. Në seancat e kësaj jave, ajo çfarë po konstatohet është prania e mbi 30 futbollistëve në stërvitje. Shumica janë të rinj të ardhur nga Akademia e Adës dhe konkretisht nga ekipi i drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi. Po ashtu, ka të rinj edhe nga ekipet e tjera të Shkodrës por edhe futbollistë të ardhur nga Veleçiku dhe ekipe të tjera. Ndërkohë nga kontigjenti i lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar, kanë qenë pjesa më e madhe e lojtarëve me përjashtim të mesfushorit Murati që ka shkuar tek Burreli.

Ka dilema edhe për ndonjë futbollist tjetër që dëshiron të largohet megjithatë për momentin ka shumë enigma në lidhje me këtë gjë. Presidenti i kësaj skuadre Alfred Pjetri pak ditë më parë u “mbylli derën” të gjithë lojtarëve që donin të largoheshin nga Ada duke deklaruar se nuk mund të iknin pa paguar 3 mijë euro si dëmshpërblim. Po ashtu, në stërvitjet e këtyre ditëve kanë munguar edhe mbrojtësi Hotaj dhe sulmuesi Puka që sezonin e kaluar kanë qenë të huazuar nga Vllaznia. Këta futbollistë tentuan të kthehen sërish tek skuadra shkodrane por në stërvitjet e fundit të saj, ata nuk kanë qenë të pranishëm. Që do të thotë se edhe për këtë sezon nuk janë në planet e trajnerit Duro.Në kushte të tilla ende nuk dihet nëse ata do huazohen sërish tek Ada apo do kalojnë në skuadra të tjera. Drejtuesit e Adës janë duke pritur në fakt të ulen dhe të bisedojnë me ata të Vllaznisë për të parë mundësinë e marrjes së disa lojtarëve të tjerë me huazim nga skuadra kuqeblu.

www.shkodrasport.com