
Dy ndeshjet miqësore me ekipin kampion të Malit të Zi në futbollin e femrave, Ekonomist të Nikshiqit kanë dhuruar një barazim dhe një humbje për kampionen tonë, Adën e Velipojës. Të dy ekipet janë duke u përgatitur për ndeshjet e Ligës së Kampioneve që zhvillohen në muajin e ardhshëm dhe për këtë arsye, kanë dashur të testojnë veten se ku janë me përgatitjet. Ndeshja e parë miqësore është luajtur të martën në Shkodër në mes dy ekipeve kampione të futbollit të femrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Adës së Velipojës dhe Ekonomist e Nikshiqit, e fituar 5-2 nga kjo e fundit, tregoi disa dobësi tek skuadra jonë kampione. Kryesisht në repartin e mbrojtjes por edhe në portë. Megjithatë dje ka qenë histori krejt tjetër. E luajtur këtë herë në vendin fqinj, ndeshja në fakt ka nisur sërish më mirë për kampionen malazeze e cila ka shënuar që në minutat e para të saj. Përveç golit, vendaset kanë patur edhe një apo dy raste të tjera por vetëm kaq. Më pas, frenat e lojës I ka marrë në dorë Ada e cila ka luajtur më mirë. Është vërejtur një lojë krejt tjetër nga ana e saj. Më e organizuar, më e lirshme edhe nga ana fizike dhe po ashtu edhe më e saktë në mbrojtje. Kampionia jonë ka krijuar disa raste të pastra shënimi megjithatë pjesa e parë është mbyllur me fitoren e vendaseve 1-0. Në të dytën ka qenë Denisa Proto që ka shënuar golin e barazimit për Adën dhe me këtë rezultat do të mbyllej krejt ndeshja ndonëse ka patur edhe raste të tjera të pastra për shënim. Presidenti Lazër Matija dhe trajneri Selami Pepaj janë shprehur shumë të kënaqur për paraqitjen e djeshme të ekipit të tyre, çka tregon se përgatitjet për sfidat e LIgës së Kampioneve janë në rrugën e duhur. Para këtyre ndeshjeve, pritet të ketë edhe një miqësore të fundit me një ekip kosovar dhe më pas do vijë momenti për t’u nisur drejt Sllovenisë ku do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese të këtij evenimenti shumë të rëndësishëm futbollistik europian.
Gjergj KOLA