Skuadra e Adës nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Velipojë ndaj skuadrës së Naftëtarit. Ndonëse kjo e fundit ndodhet në vendin e fundit të tabelës së renditjes, velipojakët nuk arritën të marrin dot trepikëshin duke komplikuar edhe më shumë ecurinë e tyre për të ardhmen dhe duke i minimizuar edhe më tepër shanset për të qëndruar në kategori. Ndeshja ka nisur me një rast të mirë për të kaluar në avantazh por goditja me kokë e Pukës bën që topi të përplaset në shtyllë dhe të mos përfundojë në rrjetë. Në pjesën e parë, loja është dominuar nga Ada që gjithsesi nuk arrin të shënojë. Në të dytën, për çudi loja e saj bie dhe është Naftëtarit që pas dy kundërzbritjeve, arrin të shënojë në minutën e 62-të me anë të Zylyftarit. Ky gol i shokon vendasit megjithatë ata rrisin lojën derisa në minutën e 80-të Halili që u fut në lojë në pjesën e dytë, do pengohej në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe gjyqtari Çekaj do të jepte 11-metërsh. Nga pika e bardhë kapiteni Nika është i saktë duke shënuar dhe duke barazuar rezultatin por vetëm kaq sepse nuk do kishte gol tjetër. Përfundimisht barazim 1-1 dhe Ada mbetet në vendin e parafundit në renditje me 12 pikë.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARE Ada nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 me Naftëtarin në Velipojë