Muajin e ardhshëm në Budva të Malit të Zi do të zhvillohet një turne shumë i rëndësishëm për futbollin e femrave. Në të do të marrë pjesë edhe skuadra kampione e Shqipërisë, Ada e Velipojës. Interesant është fakti se organizatore e këtij turneu është një nga ekipet më të mira të Europës në futbollin e femrave, kampionia e Rusisë FC Rossiyanka. Ajo ndodhet përpara ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampioneve teksa ka dalë në tetë më të mirat e saj. Sipas shortit të hedhur të këtij turi, ajo do ndeshet më 20 dhe 27 mars me ëolfsburg të Gjermanisë. Në kuadrin e përgatitjeve për këto ndeshje, ajo ka menduar të organizojë këtë turne në Mal të Zi, bashkë edhe me skuadrën tjetër ruse Zorkiv. Në turneun që do të zhvillohet në Budva në datat 23-29 shkurt, do të marrë pjesë edhe Ada, kombëtarja e Malit të Zi, një ekip italian, një ekip nga Bosnja, një tjetër nga Sllovenia dhe një nga Serbia. Siç shikohet ky është një turne shumë i fortë që mund t’u shërbejë shumë vajzave tona për të marrë eksperiencë duke u ndeshur me një nga ekipet më të mira të kontinentit por edhe të tjera të Rajonit. Ada tashmë e ka konfirmuar pjesmarrjen në këtë turne por presidenti i saj Lazër Matija na ka dhënë edhe një lajm tjetër interesant. Përveç ndeshjeve që do luhen në këtë turne, ekipi Rossiyankas do mbërrijë në Mal të Zi që më 16 shkurt dhe do kërkojë zhvillimin e 2-3 ndeshje miqësore para fillimit të turneut dhe këto miqësore pritet të zhvillohen pikërisht me Adën.Kësisoj edhe për futbollin e femrave në Shqipëri tashmë hapen dyer të reja për të marrë përvojë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Gjergj KOLA