
Me shumë vonesë por sot do të nisë puna për sezonin e ri tek Ada. Drejtuesit e klubit velipojak kanë bërë të ditur se pasditen e sotme në orën 17.30 në kompleksin sportiv “Hasaj” në Golem do të zhvillohet seanca e parë stërvitore. Ajo do të drejtohet nga kapiteni i kësaj skuadre dhe njëkohësisht një nga trajnerët e saj Etrit Nika. Gjërat tashmë janë të qarta. Futbollistët që janë nën kontratë me Adën por edhe ata që kanë qenë sezonin e kaluar pjesë e ekipit U-19 të këtij klubi, do të jenë të gjithë të pranishëm në këtë seancë të parë. Përveç tyre do jenë edhe futbollistë të tjerë të cilët kanë dëshirë të luajnë me këtë skuadër në sezonin e ri. Velipojakët e kanë nisur me shumë vonesë punën por kushtet kështu kanë qenë. Mosmarrëveshjes në mes presidentëve të këtij klubit dhe Komunës, kanë bërë që gjërat të shtyhen. Sigurisht që nuk do të jetë një vit i mirë nga ana financiare për këtë skuadër pas tërheqjes nga investimi i Komunës, por ka besim se do të ndërtohet një ekip shumë simpatik. Në Shkodër dhe rrethinat pranë saj ka shumë futbollistë të rinj të cilët nuk kanë mundur dot të gjejnë vend tek Vllaznia dhe prandaj me shumë mundësi do të huazohen tek Ada. Ka edhe lojtarë të tjerë që më parë kanë luajtur me Besëlidhjen apo Burrelin që kanë shprehur dëshirën për të luajtur në Velipojë. Në ditët e ardhshme pas kthimit të dy presidentëve Matija e Pjetri nga Sllovenia ku ndodhen duke zhvilluar ndeshjet e Ligës së Kampioneve me ekipin e femrave, do të caktojnë edhe trajnerin që do të drejtojë ekipin e meshkujve në sezonin e ri. Përpos kësaj, do të marrin jetë edhe shumë gjëra të tjera. E rëndësishme është që Ada ka nisur nga puna.
Gjergj KOLA