Tek Ada puna për sezonin e ri do të nisë të hënën. Ka qenë presidenti Alfred Pjetri që e ka bërë të ditur një gjë të tillë teksa për “Shkodra Sport” ka dhënë edhe disa lajme të mira për tifozët e kësaj skuadre.
I pari është ai i uljes në pankinë i një emri shumë të njohur. “Pas një bisede të gjatë, kemi arritur akordin dhe mund të konfirmoj faktin se trajneri i Adës për sezonin e ri do të jetë Kujtim Shaba. Padyshim që eksperienca e tij do të na ndihmojë shumë për një ecuri të mirë të skuadrës tonë”- ka thënë numri 1 i klubit velipojak.
Nën drejtimin e Shabës, stërvitja do të nisë të hënën dhe bashkë me të edhe seleksionimi i disa lojtarëve që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Kontigjenti që mbylli sezonin e kaluar është thuajse i plotë dhe atyre do t’u përzgjidhen edhe më të mirët që do të dalin nga këto seleksionime.
Ardhja e Kujtim Shabës për pankinën e Adës ka sjellë edhe disa lajme të tjera të mira. Presidenti Pjetri ka bërë të ditur se është në bisedime me disa donatorë dhe shumë shpejt mund të ketë gjëra pozitive në drejtim të konkretizimit të një marrëveshje me ta.
Nëse kjo gjë realizohet, atëherë Ada do të futet në kampionat me pretendime serioze për t’u ngjitur sërish në kategorinë e parë, aty ku ka luajtur me shumë sukses për vite me rradhë./SHKODRA-SPORT.COM/