Voltana Ademi paralajmëron lojtarët dhe stafin teknik. Me Laçin duhet fitore, sepse në të kundërt gjendja mund të rëndohet edhe më shumë.
Situata problematike që po kalon futbolli shkodran gjatë kësaj periudhe, sidomos pas dy humbjeve të fundit ku pozitat e qëndrimit të saj në Kategorinë Superiore janë lëkundur shumë kanë shqetësuar jo pak edhe kreun e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademin.
E njohur për pasionin, që ajo ka për sportin dhe duke qenë në krye të institucionit vendor të qytetit verior, zonja Ademi është parë vazhdimisht të jetë pranë skuadrës, duke mos u kursyer në dhënien e mbështetjes, jo vetëm morale, por edhe financiare.
Ndaj, edhe pjesëmarrja e saj në analizën e zgjeruar me skuadrën mbrëmjen e së hënës ishte e natyrshme.
Analizë, për të cilën thuhet se numri një i qytetit të Shkodrës ka qenë shumë aktive në diskutimin me protagonistët kuqeblu.
Gjithsesi, pamundësia e një prononcimi për medien, menjëherë pas përfundimit të takimit, bëri që kjo e fundit ta paragjykonte për një devijim të kontaktit të saj me gazetarët.
Megjithatë, nuk ka shkuar gjatë dhe vetëm një ditë pas takimit, duke shfrytëzuar një prej aktiviteteve të axhendës ditore bashkiake, ajo është treguar e gatshme të flasë për Vllazninë.
Konkluzioni i analizës – Referuar takimit rreth tre orësh të zhvilluar me skuadrën në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, kryebashkiakja Ademi tha se qëllimi i saj ishte për të kërkuar të gjithë përgjegjësinë e duhur në drejtim të rezultateve të dobëta në dy ndeshjet e fundit përkundrejt një kontributi që qyteti i Shkodrës jep në drejtim të futbollit.
“Mbrëmë është bërë një analizë teknike, e angazhimit, e përgjegjësive, e synimeve për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme, duke diskutuar edhe problematikën që skuadra ka pasur në fushën e lojës.
Mbi të gjitha, fryma e mbështetjes e të gjithë atyre që kanë qenë në takim ka qenë pozitive.”, theksoi fillimisht Ademi.
Më pas, kryebashkiakja-presidente tha se: “Ajo që është e rëndësishme, mbetet një fakt. Unë kërkoj dhe vazhdoj të kërkoj, dhe kam kërkuar edhe mbrëmë (parmbrëmë), por e them se do të jap mbështetjen time maksimale për skuadrën”.
Sipas saj, për ndryshimin e situatës, duhet që të gjithë të punojnë me seriozitetin që i takon, për të rimarrë kthesën e domosdoshme.
“Lojtarët, me të gjithë punën që ata kanë bërë çdo ditë në stërvitje, synojnë për të shpërblyer të gjithë atë kontribut që qyteti i Shkodrës, bashkia e Shkodrës jep për të mbështetur sportin, por mbi të gjitha për fanellën e Vllaznisë, që është një fanellë e rëndësishme dhe më shumë se e rëndësishme për të gjithë”, vijoi më tej Ademi.
Aleancat – Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryebashkiakja Ademi është pyetur edhe për aleancat e mundshme që përfliten mes disa skuadrave në këtë fund kampionati.
Gjë për të cilën, ajo ka kërkuar ndaj skuadrës, të mos influencohet dhe të shikojë punën e saj për ballafaqimet direkte në vazhdim.
“Ajo që ne mbështesim shumë është puna e skuadrës tonë. Kjo është motoja e skuadrës tonë, përtej gjithçkaje që mund të flitet.
Ajo nuk është në interesin tonë. E rëndësishme është për ne që të mbështesim skuadrën të ecë përpara. Ndeshja e radhës është e vështirë dhe shumë e rëndësishme.
Dhe kjo është ajo mbështetja që duhet t’i japim ekipit, në mënyrë që skuadra të ecë përpara, sepse është kjo skuadër që ka dhënë rezultate të lavdërueshme dhe mund t’i arrijë përsëri”, theksoi zonja Ademi.
Ernest Gjoka – Edhe pse në mbrëmjen e pas takimit Ademi diskutoi veçmas me teknikun Ernest Gjoka, nuk u dha asnjë lajm zyrtar për konkludimin e asaj çfarë është biseduar.
“Sport Ekspres” siguroi nga burime konfidenciale se nga ana e zonjës Ademi është ofruar mbështetje e plotë për trajnerin dhe kolegët e tij, në vijimësinë e kryerjes së detyrës në krye ta Vllaznisë.
Një gjë të tillë e konfirmuar zyrtarisht edhe nga vet kryebashkiakja-presidente në prononcimin e djeshëm për medien shkodrane.
“Kjo (largimi i Gjokës) nuk është vënë në diskutim. Gjoka dhe të gjithë trajnerët kanë besimin tonë. Mbi të gjitha është kërkuar që skuadra t’i përgjigjet asaj pune, që realisht tekniku zhvillon për ditë dhe duhet të japë rezultate në fushën e lojës.”, nënvizoi Ademi.
– “Momentin që flasim, ne po vazhdojmë të punojmë shumë, sepse ajo që unë po pres nga skuadra është që të ketë një përgjegjësi dhe reflektim të menjëhershëm dhe angazhim të plotë të të gjithë sportistëve në radhë të parë,
pastaj edhe të stafit teknik për të përmbushur një detyrim që ne e kemi, në sajë të kontributit që qyteti i Shkodrës ka dhënë tashmë dha vazhdon të japë për sportin.
Dhe, kjo është ajo që unë kam insistuar dhe insistoj, duke e mbështetur fort skuadrën në ndeshjen e radhës.
Mendoj se kjo është e rëndësishme të diskutohet, pra hapi i radhës që skuadra ka, ndeshja me Laçin”, u shpreh Ademi./sporteskpres/