Pavarësisht angazhimeve të shumta që ka në detyrën e saj si kryebashkiake, Voltana Ademi gjen kohë të jetë edhe pranë Vllaznisë. Në postin e presidentes, ajo ka një përgjegjësi jo të vogël por në fakt, është duke u munduar t’i qëndrojë shumë pranë ekipit si në stërvitje, ashtu në grumbullime apo dhe në ndeshje.
Ajo ka qenë edhe ditën e djeshme në stërvitjen e ekipit dhe këtë gjë e ka “zbuluar” vetë ajo gjatë komunikimit të sotëm online me qytetarët shkodranë.
Ndër të tjera këta të fundit padyshim që kanë shprehur shqetësimin edhe për situatën e ekipit në renditje. Në lidhje me këtë gjë, Ademi është shprehur: “Unë kam qenë dje tek ekipi përsëri.
I takoj shpesh djemtë, i shoh përditë të punojnë me shumë vullnet dhe me shumë besim për të arrit atë që kanë marrë përsipër bashkë me stafin teknik. Janë optimistë dhe mua më vjen mirë për këtë.
Pozicionimi aktual i Vllaznisë në renditje, nuk është çështje që ndodh sot. Ndoshta ka një problematikë të mbartur, ku bëhet fjalë për aspektin e administrimit. Tani jemi në një fazë ku është e nevojshme t’i japim besim ekipit.
Unë e bëj këtë çdo ditë dhe besoj se do ta bëjnë edhe të tjerët. Në aspektin profesionale, e thonë shumë tifozë por edhe teknicienë se e shohin ekipin shumë më të përforcuar tashmë dhe mbetet që ne tashmë ta mbështesim që ai të japë më të mirën.
Për aftësitë që ka dhe meritat që ka, ky ekip meriton të mbështetet dhe mund t’ia arrijë. Unë dua të përçoj këtu atë që vetë trajneri apo vetë ekipi thotë.
Mbetet që në këtë fazë ku ndodhet Vllaznia, pra bëhet gati për të mbyllur fazën e dytë dhe për të nisur fazën e tretë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta mbështesim atë.
Djemtë janë në kushte pune dhe duke i parë nga afër, unë dua të përcjell se Vllaznia meriton më shumë dhe ata do të bëjnë çmos për të dalë nga kjo situatë dhe për të marrë maksimumin e mundshëm duke nisur nga takimi i së dielës me Skënderbeun”.
© shkodrasport.com