Rrëshqitja e Vllaznisë në ndeshjet e fundit ka bërë që ajo tashmë të jetë në vend të dytë të renditjes (me pikë të barabarta me Teutën e vendit të parë). Por shpresat janë për t’u rikthyer sërish në krye.
Një nga titullarët e këtij ekipi, mbrojtësi Mevlan Adili duke folur për “Shkodra Sport” është shprehur se futbollistët duhet të bëjnë edhe 50 ditë sakrifica sepse këto ditë mund t’u ndryshojnë jetën.
Unë i kam thënë vetes dhe gjithë futbollistëve se duhet të bëjmë edhe 50 ditë sakrificë që në fund të puthim atë kupë dhe kjo nuk është asgjë në jetën e një burri, në jetën e një mashkulli.
Duhet të japim edhe atomin e fundit që në fund t’ia dalim. Kemi qenë për 24 javë në vend të parë dhe kjo bëri që të çojnë peshë të gjithë njerëzit, na bënë heronj e shumë krahasime të tjera, por harruam ndoshta që asgjë nuk kishte mbaruar.
Tifozët janë të shenjtë dhe nuk mund t’i ndryshosh në këtë qytet. E vetmja mënyrë që t’i bësh ata për vete, është që të rikthehemi tek fitoret. Duhet të ulim kokën, t’i pranojmë kritikat dhe të vazhdojmë të fitojmë.
Nëse e arrijmë suksesin, do të jetë i të gjithë neve, por mbi të gjitha i Vllaznisë. Ne kemi një harmoni shumë të mirë në skuadër, pavarësisht asaj se çfarë mund të thonë njerëzit. Tek Vllaznia asnjëherë nuk ka patur probleme, por vetëm dashuri, sepse ndryshe nuk do të ishim qëndruar dhe rikthyer në vendin e parë.
Në këto 50 ditë që kanë mbetur deri në fund të sezonit, secili prej nesh nuk duhet të mendojë për asgjë tjetër. Secili në fund të fundit duhet të mendojë për veten e vet dhe prandaj duhet të sakrifikojë sepse nëse gjërat shkojnë mirë në këto 50 ditë, mund të ndryshojë jeta e tij, e familjes së tij por edhe e shumë të tjerëve rreth e rrotull”- ka thene Adili./SHKODRA-SPORT.COM/