Administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, është optimist se ndeshjet e mbetura kuqeblutë do t’i kalojnë me sukses, duke realizuar kështu edhe objektivin për të siguruar mbijetesën në Superiore.
“Pavarësisht se kemi marrë një humbje në Durrës dhe kemi zbritur një vend më poshtë në tabelën e klasifikimit, sërish kam besimin e plotë te skuadra se do të dijë që në takimin me Luftëtarin të kthehet te rezultatet pozitive. Në fushën tonë rezultat pozitiv konsiderojmë vetëm fitoren.
Ajo që më ngroh, por jo vetëm mua, është atmosfera e mirë që ka ekipi. Ka frymë grupi dhe pozitivitet. Skuadra ka harmoni dhe këtë e tregon në çdo moment.
Për më tepër, përkushtimi i të gjithëve është maksimal dhe po ashtu edhe mbështetja është e madhe.
Mendoj se një ekip me në atmosferë të tillë normalisht që do të arrijë që të dalë me sukses në këto javë të mbetura.
Përveç besimit dhe mbështetjes, që nuk po mungojnë, shpresojmë që në këto javë të mbetura të kemi edhe tifozërinë në krah e pa dyshim dhe fatin me vete”, është shprehur Gjyrezi për “Panorama Sport”.
NDESHJA – Takimi ndaj Luftëtarit që do të luhet të shtunën vlerësohet si mjaft i vështirë nga Gjyrezi, megjithatë ai ka besim se skuadra do të arrijë të sigurojë trepikëshin.
“Mund të them se është një përballje e vështirë. Luftëtarin do ta vendosja mes skuadrave të mira të Kategorisë Superiore.
Në Shkodër përherë na ka vënë në vështirësi. Por unë vazhdoj që të jem i mendimit se me pak fat dhe duke dhënë çdo lojtar maksimumin, do t’ia dalim me sukses në këtë përballje.
Ne duhet të bëjmë mirë gjatë këtyre javëve të mbetura ‘detyrat e shtëpisë’, pra arritjen pikëve maksimale në fushën tonë.
Në këtë takim, por jo vetëm, duhet që të kërkojmë maksimumin e pikëve nëse duam që të jemi në elitë në vitin tjetër. Unë besoj te skuadra, te puna që po bëhet”, ka vijuar zyrtari i klubit.
MBËSHTETJA – Në fund të fjalës së tij, administratori i klubit shkodran ka folur edhe për mbështetjen e gjithanshme që nuk po i mungon ekipit.
“Të gjithë jemi bashku dhe afër ekipit në këto moment. Mund të them se po bëhet e mundur që skuadrës të mos i mungojë asgjë, në mënyrë që të realizojë ato objektiva që ne kemi.
Sërish ekipi është grumbulluar dy ditë para takimit. Edhe qëndrimi afër i faktorëve të tjerë është shumë pozitiv për ekipin”, ka mbyllur administratori i kuqebluve.
Admir Uruçi