Ndeshja e së mërkurës ndaj Tiranës duket se është vlerësuar në maksimum në kampin shkodran. Natyrisht krejt ndryshe nga sfida e parë e cila në njëfarë mënyrë është nënvlerësuar nga kuqeblutë. Kjo solli edhe atë humbje 0-2 e cila do të jetë e vështirë ndoshta për t’u rikuperuar megjithatë drejtuesit e klubit janë të mendimit se skuadra duhet të besojë tek kthimi i këtij rezultati. Administratori Astrit Gjyrezi në një prononcim për “Panorama Sport” ka shprehur besimi e tij se Vllaznia ka një objektiv në këtë sezon që e ka shfaqur që në momentet e startit të sezonit, të kërkojë Kupën e Shqipërisë.
Mirpo humbja 2-0 në përballjen e parë në Tiranë duket se ka krijuar një bindje tek të gjithë se kuqeblutë nuk e kanë mendje fare në këtë drejtim por vetëm tek sigurimi i mbijetesës. “Shumëkush mund të mendojë se ne kemi hequr dorë nga Kupa pasi situata në kampionat është jo e mirë dhe duhet të fokusohemi vetëm në ketë drejtim. Por ne Kupën e kemi shfaqur si objektiv tonin që në momentet e para të startit të sezonit. Humbja 2-0 ndaj Tiranës na vështirëson shumë punën në këtë takim të dytë, por unë mendoj se asgjë nuk është e pamundur. Duhet të besojmë tek këto djem se do të vijnë pas lojrave të mira edhe rezultatet. Unë kam besim se do të arrijmë që të kalojmë Tiranën dhe pa dyshim edhe këtë situatë në të cilën gjendemi,”- ka deklaruar ai
© shkodrasport.com