Administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, përtej kënaqësisë së shprehur pas fitores me Teutën, ka kërkuar që ta mbajë ekipin me këmbë në tokë.

Dy takimet e radhës kanë një shkallë vështirësie të lartë, edhe pse në intervistën për “Panorama Sport” Gjyrezi flet me optimizëm.

Ai sqaron edhe çështjen e pagave të prapambetura.

Zoti Gjyrezi, dy fitore radhazi dhe largim nga zona e ftohtë. Duket se erdhi momenti që prisnit…

Patjetër, për më tepër që kjo fitore ndaj Teutës ishte e domosdoshme.

Shpresojmë që të kemi edhe të tjera në vazhdimësi. Gjithsesi, duhet të pranojmë se ndeshja e javës së kaluar në Lushnjë ishte një hap pozitiv për skuadrën tonë, për të ardhur më pas te takimi me Teutën.

Duhet t’i marrim ndeshjet pa eufori, sipas radhës. Të hënën morëm tri pikë të arta dhe këtu mbaroi gëzimi për këtë ndeshje, ndërkohë që nesër ekipi vijon përgatitjet për sfidën e radhës, e cila do të luhet në Gjirokastër.

Do të luajmë të shtunën ndaj Luftëtarit, ndërsa në mesjavën e ardhshme kemi një ndeshje tjetër në transfertë, këtë herë me Laçin. Pra, nuk ka vend për eufori, por vetëm për punë.

Mund të themi se është kthyer qetësia në ekip pas fitores së fundit?

Po mundohemi të rikthejmë qetësinë, hapat janë pozitivë dhe mund të them se jemi shumë të kënaqur. Duke siguruar pikë, vjen edhe qetësia.

Gjithsesi, kalendarin e keni kundër, pikërisht me dy nga skuadrat më në formë të kampionatit si Luftëtari dhe Laçi, e për më tepër në transfertë, aty ku vetëm Lushnjën keni mposhtur…

Dy ndeshjet jashtë radhazi mund të na vështirësojnë punën.

Kampionati është shumë i ngjeshur, por po shohim që të marrim rezultat sa më të mirë në çdo fushë.

Dikur janë quajtur surprizë ndeshje të ndryshme, siç ishte edhe ajo e Luftëtarit në Laç, kështu që ne po përgatitemi për dy takime shumë të vështira në transfertë.

Megjithatë, unë besoj se do të kthehemi në Shkodër me rezultate pozitive. Kam besim tek ekipi.

Shkëputja nga Teuta e çliron disi ekipin psikologjikisht?

Shkëputja nga Teuta na jep qetësinë e duhur, por kampionati është i gjatë, ka shumë ndeshje përpara, kështu që duhet të shikojmë absolutisht te sfida e radhës.

Duke pasur besim në marrjen e rezultatit pozitiv, do të arrijmë atë që kërkon edhe publiku ynë.

Ka forca Vllaznia që të shikojë për më lart në klasifikim?

Ne luftojmë fillimisht që t’i largohemi mbijetesës, por gjithmonë duke pasur synime për më lart në tabelë.

Shpresojmë se nëse do të vazhdojmë me këtë rritëm dhe këto rezultate, patjetër që do të shikojmë sa më lart në klasifikim.

A ka një çështje pagash te Vllaznia?

Lojtarët kanë marrë një pagë dhe këto ditë do të marrin edhe rrogën tjetër të prapambetur.

Besoj se jemi shumë korrekt me ekipin në këtë drejtim dhe për më tepër që nga ana e jonë në fund të çdo sezoni nuk ka asnjë lojtarë që i mbetet gjë pa marrë.