Vllaznia ka ndër mend të largojë dy prej pjestarëve të stafit teknik. Ende nuk dihet se cilët prej tyre, por e rëndësishme është që stafi do përgjysmohet. Deklarata është bërë nga administratori i klubit Neritan Kalamishi në një dalje publike në një nga mediat lokale. “Situata financiare e klubit nuk ka qenë e mirë kohët e fundit si pasojë e largimit të kompanisë “Gea Sport” e cila la një boshllëk jo të vogël financiar në klub, gjë të cilën tashmë është duke u munduar ta mbulojë Bashkia Shkodër.
Por kuptohet që shumë prej kontratave që kemi patur do rishikohen sepse ato janë hartuar nga kjo kompani dhe nuk mund t’i zbatojmë deri në fund. Të parët që do ulen në bisedime do jenë një pjesë e stafit. Mund të konfirmoj faktin se edhe me Bordin është rënë dakord që dy prej pjestarëve të stafit do të largohen. Nuk dua t’i bëj publik emrat por jemi të detyruar ta bëjmë këtë gjë sepse kostoja financiare e këtij stafi është shumë e madhe për klubin tonë dhe do të jemi të detyruar të ndërhyjmë”- është shprehur njeriu që ka të drejtën e firmës dhe vulës në klubin shkodran.
Kush do largohet?
Pas kësaj deklarate, kuptohet që menjëherë lind pyetja dhe natyrisht kureshtja se kush do të jetë trajneri që do të largohet. Natyrisht që për Rainerin nuk bëhet fjalë tashmë sepse ai ka rifituar besimin e drejtuesve të klubit. Në mes tre pjestarëve të tjerë të stafit, më shumë mundësi për t’u larguar ka zëvendëstrajneri Davide Belotti. Ai në ndeshjen e fundit që skuadra ka patur në Fier, ka qëndruar në Shkodër!!! Paksa e çuditshme kjo gjë kur ai duhet të jetë krahu i djathtë i trajnerit. Ndoshta raportet e tij edhe me Rainerin nuk janë aty ku duhet të jenë e për këtë arsye, edhe mund të largohet. Arsyeja që e bën klubin të marrë këtë veprim është vetëm ana financiare. Vllaznia nuk e ka luksin të paguajë katër trajnerë të huaj me rroga të konsiderueshme e për më tepër, duke u paguar edhe shtëpitë me qera dhe restorantin ku ushqehen. E nëse Belotti është thuajse e sigurtë që do largohet, dilema është se kush do jetë pjestari tjetër i stafit teknik që do ndjekë rrugën e tij? Njëri prej Daniele Nervit, përgatitësit atletik dhe Sabino Olivës, trajnerit të portierëve, me shumë mundësi duhet të bëjë edhe ai gati valixhet.
Futbollistët
Administratori Kalamishi në prononcimin e tij ka bërë të ditur se përveçse do largohen dy prej stafit teknik, do ketë rishikim kontratash edhe me shumë prej futbollistëve. “Bordi i ri na ka udhëzuar për rishikimin e kontratës. Futbollistët e kanë të shkruar në kontratë se në rast largimit të kompanisë “Gea Sport”, klubit i lind e drejta e rishikimit të kontratës. Për këtë arsye, do bisedojmë fillimisht me disa prej futbollistëve të huaj që nuk po japin kontributin e tyre në skuadër, për të rishikuar kushtet financiare të kontratës dhe nëse ata nuk janë dakord me këtë gjë, mund të largohen nga Vllaznia. Nuk mund të paguajmë rroga, shtëpi e restorante për futbollistë që nuk luajnë”- ka thënë numri 1 i klubit shkodran.
Roli i Bordit
Fillimisht kishte dilemë nëse ai do të ishte sërish në rolin e administratorit apo jo sepse këtë gjë do ta zgjidhte Bordi i ri Mbikëqyrës. Por Neritan Kalamishi ka marrë votëbesimin e pesë anëtarëve të tij dhe ai po vazhdon punën. Natyrisht që tashmë është edhe shumë më i qetë sepse ky Bord po e bën punën e tij ashtu si duhet. “Të them të drejtën tani ndihem shumë komod në punën time. Bordi i ri na ka ndihmuar shumë, është gjithnjë pranë skuadrës, po bën maksimumin për të kaluar problemet financiare që ka patur dhe po ashtu po interesohet për çdo gjë tjetër që ka të bëjë me ecurinë e saj. Ardhja e këtij Bordi u reflektua edhe tek skuadra me dy fitoret e arritura së fundi dhe të shpresojmë që kjo gjë të vazhdojë edhe më tej me të tjera rezultate pozitive”- është shprehur Kalamishi.
© shkodrasport.com