Suad Lici, administrator i skuadrës së Vllaznisë, në një prononcim për “Rtshport” ka komentuar situatën dhe ecurinë e skuadrës shkodrane deri në këtë periudhë të fundvitit. Sipas ish-kapitenit të skuadrës kuqeblu, të gjithë kanë bërë një punë të mirë, duke pasur parasysh edhe startin e përgatitores.
Megjithatë, Lici ka besim se pjesa e dytë e sezonit do të jetë edhe më mirë, pasi skuadra është thuajse e ngritur dhe trajneri Lika bashkë me stafin kanë gati strategjinë e rikthimit, duke filluar që nga merkato ashtu edhe faza përgatitore.
Ecuria
“Në aspektin sportiv, sa i përket kësaj periudhe, skuadra ka qenë aty ku duhet. Djemtë kanë qenë të përkushtuar. Nëse kthehemi te fillimet tona nuk ka qenë aspak e lehtë. Skuadra ka qenë e rënë moralisht. Natyrisht që pas masave drastike që morëm, edhe me kontratat si administratë, trysnia dhe indinjata që kishte qyteti për atë që kishte ndodhur nuk ishte aspak pozitive. Dua të falënderoj këto djem për kontributin që kanë dhënë për atë që këto 5 muaj kemi bashkëpunuar së bashku.”
Akademia Vllaznia
Ndër të tjera, Suad Lici sqaron edhe situatën rreth vijmësisë së punës dhe projektet me ekipet e moshave. “Do të kemi dhe disa projekte të tjera, por për momentin nuk mund t’i bëj të ditura deri sa të finalizohen. Do të kemi diçka konkrete në muajit në vazhdim.
Nuk e kuptoj këtë zhurmë që është bërë, por secili është në të drejtën e tij. Ne e kemi strategjinë e qartë, nuk duam që të fyejmë lojtarët e Akademisë së Vllaznisë apo të akademive këtu pranë Shkodrës, por duam që të kemi produkt cilësor, pasi e shohim se direkt nga Akademia nuk mund të na përfaqësojnë dot.
Ne kemi menduar që të bëjmë një Vllaznia B sa më të fortë dhe lojtarët të kenë mundësi të shprehen te Vllaznia B, për më të mirën e tyre që ne t’i kemi në fokus”.