Në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të klubit, të mbajtur ditën e sotme, administratori Suad Lici ka shpjeguar edhe buxhetin, shpenzimet dhe të ardhurat e tij duke bërë të ditur edhe mënyrën si do operohet.
“Me këtë buxhet që kemi parashikuar, mendoj që të krijojmë pavarësi sa më të madhe nga Bashkia. Në muajin maj do të shkojmë në Katar bashkë me drejtorin sportiv, për të gjetur sponsorë në mënyrë që ne të ndërtojmë një skuadër e cila të marri pjesë pastaj sezonin e ardhshëm në Kupat e Europës.
Kjo është e vetmja rrugë që ne mundemi edhe të lajmë borxhet, edhe të ecim përpara për të bërë Vllaznisë sërish interesante se ndryshe ajo do të ecë sërish në ato ujëra që ka qenë edhe më përpara”- ka thënë ai.
Ndërkohë, gjithnjë në lidhje me skuadrën e sezonit të ri, Lici e ka pranuar se përbërja aktuale nuk garanton edhe për sezonin e ri, prandaj dhe duhen bërë ndërhyrje, por nuk do të jetë e lehtë sepse presionet kanë qenë të mëdha, madje edhe nën trysninë e kallashnikovëve.
“Kemi nisur një projekt bashkë me drejtorin sportiv dhe mund të bëjmë gjëra të mira. Kemi qenë në Nigeri për të biseduar për lojtarë dhe nuk kemi shkuar për shtëpitë tona, por kemi shkuar për Klubin e Futbollit Vllaznia, kur kemi qenë edhe nën trysninë e kallashnikovëve. Besoj se skuadra aktuale nuk ngroh për në Superligë dhe prandaj do të bëjmë ndërhyrjet e duhura në merkato”- ka thene Lici.
© shkodrasport.com