Pasditen e së enjtes, në Shkodër është zhvilluar “Dita e Kërcimeve”, një aktivitet ky i organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës dhe Klubi Shumësportësh Vllaznia. Kuptohet që në këtë qytet, vetëm kërcime mund të zhvillohen pasi për disiplinat e tjera të sportit të atletikës, nuk janë mundësitë për t’u ushtruar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”. Në këtë ditë, kanë marrë pjesë kërcyesit më të mirë të vendit të cilët kanë dhuruar gara shumë të bukura. Në atë të kërcimit së gjati, ka patur një rivalitet mes Admir Bregut dhe Izmir Smajlajt. Ka fituar shkodrani Bregu që konkurron me Tiranën i cili ka kërcyer 7.48 m. Kujtojmë këtu që ai është edhe mbajtësi i këtij rekordi në vendin tonë me 7.75 m. Ndërkohë Smajlaj i vendit të dytë kërceu 7.27 m. Në garën e femrave, vendin e parë e zuri atletja e Vllaznisë Elmedina Oruçi që kërceu 4.33 m. Në garën e kërcimit trehapësh për djem ka spikatur Izmir Smajlaj që ka kërcyer 15.31 m. Me këtë distancë, ai ka thyer rekordin e të rinjve të kësaj gare që mbahej prej shumë vitesh nga një tjetër atlet i Vllaznisë Edmond Marpali që pat vendosur rekordin me 15.26 m. E rëndësishme është që garat kanë shkuar mirë dhe të tillë aktivitete duhen organizuar sa më shpesh në Shkodër.
www.shkodrasport.com