shkodrasport.com
Admir Bregu: E pres një ofertë nga Vllaznia
E çuditshme por kampioni dhe rekordmeni i atletikës shqiptare, atleti shkodran Admir Bregu gjatë vitit 2011 ka konkurruar për ekipin e… Elbasanit. Në pamje të parë, nuk ka asnjë lidhje me këtë qytet që më së shumti nuk është shquar asnjëherë për atletikë por arsyeja pse Bregu zgjodhi Elbasanin për të garuar, kanë qenë ajo financiare. E ka shpjeguar vetë Admiri ekskluzivisht për www.shkodrasport.com kur ka thënë: “Ju mund t’u duket e çuditshme por kjo është e vërtetë. Kam konkurruar gjatë këtij viti për Elbasanin sepse ky klub dhe ky qytet mi plotësuan kërkesat e mia. Dhe përderisa këto kërkesa mu realizuan, nuk kishte shumë rëndësi, emri i klubit”. Por tashmë kontrata e atletit shkodran me klubin elbasanas ka përfunduar dhe ai është në pritje të ofertave të reja. Ende nuk dihet realisht se me cilin ekip do konkurrojë ai në vitin 2012. I ngacmuar nëse ky ekip do jetë Vllaznia, Bregu është shprehur: “Kam disa sinjale nga pjestarë të Vllaznisë dhe ekziston mundësia që unë të kthehem e të garoj për këtë ekip gjatë vitit të ardhshëm por ende nuk është vendosur asgjë. Dëshira është por shoh që dy gjëra nuk shkojnë ashtu siç duhet aty: Vllaznia nuk ka një objektiv të qartë për të ardhmen dhe e dyta, nuk ka një menaxhues të mirë në krye të klubit. Në këto kushte, jam pak pesimist për të ardhmen dhe ndoshta mund të rikthehem sërish tek Tirana, me drejtuesit e së cilës jam sërish në bisedime”. Ta lësh të ikësh një kampion dhe rekordmen të kërcimit së gjati, një kampion në garën e 100 metrave dhe njëkohësisht një sportist të elitës, është një keqardhje e madhe. E për çfarë, për pak lekë më tepër. Ndoshta edhe jo për to, thjesht për mosmenaxhim të duhur të situatës dhe mosulje në tavolinë për të diskutuar ashtu siç duhet gjërat.