Dita e sotme është e veçantë për një prej sportistëve që ka lënë gjurmë në atletikën shkodrane dhe atë shqiptare. Bëhet fjalë për kampionin dhe rekordemin e garës së kërcimit së gjati, Admir Bregu i cili sot ka ditëlindjen, mbush 39 vjeç. Pasioni për sportin e atletikës ka qenë i madh tek ai dhe trajneri Vildan Tufi e fokuson tek gara e kërcimeve ndonëse vetë Admiri ka qejf edhe ato të shpejtësisë.

Megjithatë, suksesin më të madh do ta kishte tek gara e kërcimit së gjati ku arriti të thyente një rekord shumëvjeçar. Ai i çoi shifrat e kërcimit së gjati në 7.89 metra, duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Gjergji Ruli, në 7.70 metra të vendosur gjatë një gare të zhvilluar në Shkodër, më 2 korrik të vitit 1984.

“E kujtoj si mjë moment shumë të bukur dhe shpërblim i një punë të stërmundishme. Normalisht, më është dashur një punë e madhe për ta thyer. Isha gjithmonë pranë thyerjes së rekordit të Rulit kur garoja për Vllazninë. Më pas me që kam bërë në Tiranë ka ndryshuar për mirë çdo gjë.

Mu deshën thuajse katër vjet stërvitje të forta e të programuara me kujdes për ta thyer rekordin e Gjergjit. Dhe e kam thyer
rekordin jo vetëm një herë, por tri herë”, – u pat shprehur Admir Bregu për mediat, i cili fillimisht e kishte thyer rekordin e Rulit në 7.71 më 29 qershor 2007 në Kupën e Europës në Zenica të Bosnjës.

Një vit më vonë, pra në 2008 kërcen 7.75 metra dhe të fundit në 7.89, të vendosur në Kampionatin Kombëtar të Atletikës në Rumani (6 qershor 2008). Rekordi i tij ka mbetur në fuqi deri më kur atë e theu një shkodran tjetër- Izmir Smajlaj më 25 qershor 2014 në Tiranë dhe në fakt ky atlet është edhe rekordmeni aktual në fuqi i kësaj gare me 8.03 m të vendosur në një miting ndërkombëtar të zhvilluar në Elbasan më 21 maj 2016.

Admir Bregu ka patur preferencat e tij edhe garat e shpejtësisë teksa shpeshherë ka konkurruar edhe në 100 metra ku madje ka arritur një rezultat shumë të mirë me 10.82 sekonda. Përveçse me Vllazninë, ai ka konkurruar për disa edhe me Tiranën dhe një vit edhe për ekipin e Elbasanit.

Ndërkohë prej disa vitesh jeton bashkë me familjen e tij në Gjermani, aty ku tashmë punon si preparator atletik pranë një ekipi të futbollit të femrave VfB Alemannia Pfalzdorf.

Kjo është historia e kampionit shumëvjeçar të Shqipërisë në garën e kërcimit së gjati, por edhe në atë të 100 metrave, kjo është historia e rekordmenit shqiptar që për 7 vjet me rradhë ishte “mbreti” i kërcimeve në vendin tonë. Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Admir Bregut!
Gjergj KOLA