Futbolli 9×9 ose siç quhet ndryshe Sunday League prej 3 vitesh zhvillohet tashmë në vendin tonë. Por ky sezon i këtij kampionati do ketë ka një risi pasi për herë të parë një ekip nga Shkodra do marrë pjesë.
Fjala është për Panthers që në dy javët e para ka marrë dy fitore. Një prej protagonistëve ka qenë edhe Admir Mehja, që në një dalje të fundit televizive në Star Sport ka folur për këtë nisje dhe këtë sport.
Mehja tha: “Për herë të parë një ekip nga Shkodra po merr pjesë në këtë kampionat. Nuk ka pasur asnjë ekip nga jashtë Tiranës apo Durrësit në dy vitet e mëparshme. Kjo për shkak të kushteve që do për tu krijuar një skuadër për të konkurruar në këtë kampionat.
Ne kemi një skuadër me elementë që kanë luajtur madje edhe në Superligë e patjetër që mund të tentojmë gjëra pozitive. Kemi marrë dy fitore në dy ndeshjet e para e duam akoma më shumë. Besoj se do jemi në një nga vendet e para për të tentuar edhe fitimin në fund.
Është diçka pozitive sepse i ngjan pothuajse futbollit normal pavarësisht se luhet 9 kundër 9. Rregullat janë të njëjta si me futbollin 11 kundër 11 dhe ndryshon nga kampionati ku morëm pjesë sezonin e kaluar 5×5. Uroj që në fund të arrijmë atë që nuk e arritëm edicionin e shkuar, triumfin final”.
Endri ÇINARI