Mbrojtësi shkodran Admir Teli pritet të rikthehet sërish në kombëtare. Ndodh kështu ngaqë në ndeshjen e muajit të ardhshëm ndaj Norvegjisë, trajneri De Biazi do të ketë disa mungesa të rëndësishme në këtë repart dhe për këtë rrjedhojë ka hedhur sërish sytë nga 31 vjeçari shkodran. Ai po kalon një formë shumë të mirë sportive dhe trajneri i kombëtares sonë e ka ndjekur dy ditë më parë “live” në një ndeshje të kampionatit azerbajxhanas. Ansi Agolli dhe Admir Teli kanë luajtur si titullarë te Karabaku i tyre në fitoren e djeshme ndaj Bakusë me rezultatin 3-1. Që të dy futbollistët shqiptarë kanë qenë decizivë në këtë fitore, madje Agolli ka dhënë edhe asistin e golit të dytë të shënuar nga Nadirov në minutën e 58- të. Sipas informacioneve që jep uebsajti i klubit, ka qenë një gjuajtje e Agollit që është grushtuar fillimisht nga portieri dhe më pas topi ka përfunduar te sulmuesi, i cili nuk e ka pasur të vështirë të shënojë. Ndërkaq edhe Teli ka bërë një ndeshje me nivel, çka i jep shumë mundësi që trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ta rikthejë për ndeshjen ndaj Norvegjisë, duke qenë se mungon Lorik Cana në qendër të mbrojtjes. Kujtojmë që italiani ka qenë dje në Azerbajxhan për të ndjekur takimin mes Karabakut e Bakusë, dhe sipas informacioneve paraprake, trajneri ka mbetur i kënaqur nga të dy futbollistët kuqezinj. Karabaku është në vend të dytë në renditje në Azerbajxhan, një javë nga fundi i kampionatit, me 58 pikë, katër më pak sesa Neftçi, kampion i vendit. Gjithsesi, Karabaku ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës për sezonin tjetër.