Mbrojtësi i njohur shkodran Admir Teli nuk do të grumbullohet për ndeshjen miqësore që ekipi jonë kombëtar do të zhvillojë në Gjeorgji më 29 shkurt. Lajmi bëhet i ditur në të përditshmet sportive, sipas së cilës, lojtari aktual i Karabakut nuk është preferuar nga ana e trajnerit Xhani De Biazi. Ndoshta kjo është zgjedhje taktike e këtij trajneri por në media ky veprim i tij është kritikuar ngaqë për momentin Shqipërisë i mungojnë për arsye dëmtimesh dy lojtarët që kanë luajtur në qendër të mbrojtjes si Cana dhe Curri. Për rrjedhojë, Teli ishte i vetmi lojtar me përvojë që ofronte garanci në qendër të mbrojtjes megjithatë ai sërish nuk është preferuar nga ana e De Biazit.
Në fakt, 30 vjeçari Teli po luan rregullisht me skuadrën e tij në Azerbajxhan- Karabak dhe madje ai si për vitin 2010 ashtu edhe për 2011 është cilësuar dhe votuar si futbollisti më i mirë i këtij klubi. Megjithatë të luash jashtë, të jesh titullar dhe gjithnjë në formacion, nganjëherë nuk vlen. Për rrjedhojë, Admir Teli pritet të mos jetë me skuadrën përfaqësuese për ndeshjen me Gjeorgjinë duke pësuar kështu fatin e Elvin Beqirit, shkodranit tjetër që luan edhe ai me shumë sukses po në Azerbajxhan por që nuk është thirrur prej kohësh në kombëtare ndonëse prej vitesh ka qenë pjesë e rëndësishme e saj.
www.shkodrasport.com