Skuadra e Karabakut zhvilloi sot pasdite stërvitje në stadiumin “Loro Boriçi” në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 19:00.
E gjithë vëmendja ishte te mbrojtësi i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili do të jetë kundërshtar i ekipit shqiptar.
Para fillimit të stërvitjes, Agolli takoi drejtuesit e Kukësit, me në krye trajnerin Armando Cungu. Nuk munguan batutat, ndërkohë që një i ftuar special ndodhej në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”. Ishte pikërisht ish-mbrojtësi i Kombëtares, Admir Teli.
Ai ka mbajtur veshur fanellën e Karabakut për 6 sezonte dhe nuk mund të mungonte për t’u përshëndetur me ish-skuadrën e tij. 37-vjeçari shkodran pas takimit me drejtuesit e skuadrës azere dhe Ansi Agollin, u ul në një prej pankinave të stadiumit për të tymosur një cigare. “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë disa foto nga takimi i Telit me ish-skuadrën e tij.