Ka luajtur në pak kampionate, pikërisht në fundin e viteve ’80 megjithatë ka lënë gjurmë me fanellën e Vllaznisë dhe prandaj emri i tij është i shkruar me “gërma të arta” tek ai brez i shkëlqyer lojtarësh i atyre viteve. E kemi fjalën për ish- sulmuesin Adrian Barbullushi, futbollistin që ka lindur në Shkodër më 12 dhjetor 1968
Në një rrëfim për gazetën “Shkodra Sport”, njeriu i cili prej 29 vitesh jeton e punon në Greqi, e cilëson kështu periudhën kur ka luajtur me Vllazninë”:
“është një nder i madh për cilindo që vesh fanellën e Vllaznisë. Nuk e di a e kuptojnë lojarët e këtyre viteve të fundit, rëndësinë e kësaj fanelle. Vllaznia është Vllazni, ajo ka fanellën më të rëndë në Shqipëri. Unë isha me fat të madh që luajta për këtë ekip, isha me fat që kisha afër meje shumë emra të shquar që dhan shumë për futbollin shkodran dhe atë shqiptar.
E kam nisur futbollin me Vllazninë që në moshën 9 vjeç, fillimisht në shtëpinë e pionerit, më pas tek shkolla “Xheladin Fishta” duke nxjerrë talente të mëdha. Unë kam qenë në një klasë me Rudi Vatën, Xhemal Alibalin, Anton Ndojën e ndonjë tjetër, por ka qenë e vështirë për secilin prej nesh që të luante për Vllazninë në ato vite.
Kam luajtur 17 vjeç me Vllazninë dhe kam luajtur përkrah emrave të mëdhenj. Luaja përkrah Rragamit, luaja me Zmijanin, me Dedjen, me Jerën, me emra të tjerë kollosë, por ishim të lumtur sepse të gjithë ata na kanë përkrahur e mbështetur.
Ishte privilegj e kënaqësi e madhe të luaja përkrah Fakjes, përkrah Kepës, Bujar Grudës e të tjerë. Ishim shokë, ishim një familje dhe e ndihmonim njëri- tjetrin dhe ato kanë qenë vitet më të bukura për futbollin shkodran. Për fat të keq nuk arrita të shpallesha kampion në vitin 1992 sepse unë u largova nga Shqipëria bashkë me Zmijanin e Kepën që ikën nga Shqipëria.
Në vitin 1987 pati një largim të disa lojtarëve të cilët shkuan në Greqi apo dhe u dënuan duke bërë që Vllaznia të kishte një ekip të ri. Megjithatë falë mbështetjes së lojtarëve me përvojë, ia dolëm që edhe ne më të mirët të ingranoheshim me ekipin dhe të jepnim kontributin për të”.
Pas largimit nga Shqipëria në verën e vitit 1991, Barbullushi ka kaluar në Greqi ku ka luajtur fillimisht me Egaleo dhe më pas me Ionikos në Superligën e këtij vendi. Gjatë këtyre viteve, sulmuesi shkodran ka luajtur në pesë ndeshje edhe me Kombëtaren shqiptare.
Duke folur në lidhje me këtë çështje, Adriani do të shtonte: “Nuk ka qenë e lehtë të luajë me ekipe të njohura të Greqisë dhe niveli i kampionatit të këtij vendi ishte më i fortë. Por ia kam dalë. Duke luajtur edhe me kombëtaren, duke luajtur 5 ndeshje si pjesë e skuadrës kuqezi, e po ashtu edhe me ekipet e grupmoshave të ekipeve kombëtare”
Pasi ka mbyllur karrierën si futbollist, Barbullushi prej 20 vitesh bën edhe detyrën e trajnerit në Greqi. Në 5 vitet e para ka punuar me moshat ndërsa prej 15 vjetësh drejton ekipe të ndryshme, kryesisht duke drejtuar ekipe të kategorisë së tretë dhe të katërt në zonën e Athinës dhe Pireut. Dy vjet me pare nderkohe emri i tij u perfol edhe per nje mundesi ulje ne pankinen e Vllaznise, por vetem kaq. Duke folur ne lidhje me karrieren e tij si trajner dhe ambicjet per te ardhmen, Barbullushi do te shprehej:
“Ambicjet janë për të ecur më përpara në karrierë dhe kuptohet që dëshira ime është të shikoj për të drejtuar edhe ndonjë ekip tjetër të ndonjë kategorie më lart, por nuk është e lehtë. Duhet padyshim mbështetje dhe kuptohet që unë këtu nuk jam në Shqipëri, aty ku do fliste CV-ja ime si lojtar i Vllaznisë dhe i kombëtares. Megjithatë unë vazhdoj punën dhe në ekipet që kam drejtuar, kam patur jo pak suksese”.
Gjergj KOLA