Një emër i shquar i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, është vënë në drejtim të ekipit të volejbollit të të rejave të Vllaznisë. Bëhet fjalë për Adrian Mikoplin. Shuteri i njohur i ekipit shkodran në vitet ’80-’90, kishte disa vite që ishte shkëputur nga sporti megjithatë, ditët e fundit i është përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga ish-kolegu i tij Mark Kroqi që është edhe drejtor i klubit, për të marrë drejtimin e këtij ekipi. Ka ndodhur kështu pasi trajneri i mëparshëm Dorian Tafa është një një kurs specializimi në Bullgari për disa muaj. Sigurisht që ulja në pankinën e këtij ekipi e një emri si Mikopli është një lajm i mirë.

Kjo ngaqë kjo figurë e njohur e këtij sporti, ka se çfarë të transmetojë tek vajzat volejbolliste. Mikopli ka luajtur me Vllazninë në vitet 1981-1994 pa ndërprerje duke dhënë një kontribut të madh për këtë ekip. Ka arritur të fitojë me të, Kupën e Republikës në vitin 1985. është dalluar si një sportist me kulturë, edukatë, inteligjent në lojë e mjaft i komunikueshëm. Këto tipare, kuptohet që do të dinë t’i japin vlerat e duhura edhe tashmë si trajner duke besuar tek suksesi me këtë ekip që siç dihet është kampion në fuqi i vendit.

Gjergj KOLA