Pas iu afrua shumë tit ullit që në debutimin e saj në Superligë gjatë edicionit të kaluar, Besëlidhja e basketbollit të meshkujve po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm. Me të gjitha ndeshjet e fituara në kampionat, ekipi lezhjan ka kaluar edhe gjysmëfinalet e “play off”-it, duke mundur Tiranën 3-0, për t’u bërë skuadra e parë finaliste e këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Afrim Bilali deklaron se Besëlidhja është e formatuar për të arritur këto rezultate “top”.
Për Bilalin sekreti i skuadrës është baza vendore, ndërsa bën të ditur se lezhjanët do të jenë kryefjalë në basketbollin shqiptar për disa vite. Me 6 fitore sezonale kundër Tiranës, Bilali thotë se Besëlidhja i ka shkurorëzuar bardheblutë dhe se është gati të marrë kurorën e kampiones. 44- vjeçari shkodran ka komentuar edhe polemikat për arbitrimin, teksa sipas tij gjyqtarët nuk janë në nivelin e ekipeve dhe se duhet të azhurnohen me evolucionin dhe dinamikën e këtij sporti.
“Që në fillim Besëlidhja është formatuar për të patur këto rezultate. Nga mënyra se si është krijuar ekipi dhe se si ka ardhur deri këtu, për këto rezultate është menduar që nga viti i kaluar faktikisht dhe pas sezonit të vjetshëm bashkë me bordin drejtues vendosëm që të ndryshonim strukturën e skuadrës. Vendosëm që të kishin në gjirin e skuadrës lojtarë shqiptarë, lojtarë të cilët kanë peshë edhe në Kombëtare. Afrimi i tyre ka bërë që bërthama e skuadrës të jetë e fortë dhe çdo lojtarë tjetër që i është bashkuar ekipit, konkretisht basketbollistët amerikanë, t’i përshtaten grupit vendor.
Pikërisht kjo gjë ka bërë që edhe ecuria e të gjithë sezonit të Besëlidhjes të jetë konstante dhe rezultatet të jenë pozitive. Që në fillim e kemi menduar që do të kemi një ecuri të mirë, por që të arrinim 23 fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara nuk e kishim menduar. Por çdo javë dhe muaj që kalonte, ekipi ka pasur besimin që ecuria do të ishte shumë e mirë dhe me këto rezultate që sot i shikojnë të gjithë.
Po, është e vërtetë që ne e kemi mbyllur kualifikimin me tri ndeshje në gjysmëfinale, ndërsa Teuta dhe Vllaznia vazhdojnë përballjet. Kjo nga njëra anë bën që ne të jemi më të pushuar fizikisht, por pa dyshim që stërvitja jonë nuk është ndërprerë asnjëherë dhe përgatitemi dy herë në ditë për kundërshtarin e radhës. Unë e kam thënë edhe më përpara që do të preferoja Vllazninë në finale. Për mënyrën sesi ka ardhur Vllaznia këtu ka dëshirë që ndeshjet finale të luhen në Shkodër, për vetë atmosferën që krijohet në atë qytet. Më vjen keq që në këtë rast, pra si me Vllazninë, gjithashtu edhe me Teutën ne do të futemi për të fituar dhe kjo është e vetmja keqardhje nëse ndeshemi me kuqeblutë.
Realisht më vjen keq për këtë pjesë, pasi do të doja shumë që Besëlidhja të kishte fushën e sajë në Lezhë. Megjithatë, nuk na ka munguar mbështetja e tifozëve edhe në Tiranë, apo edhe në Shkodër në gjysmëfinalen e tretë. Unë do të doja shumë që të luanim në Lezhë. E di që ka një iniciativë nga kryetari i bashkisë për të bërë një pallat sporti në Lezhë dhe ka hapa konkretë faktikisht, por për aq kohë sa nuk ka diçka të shkuar mbi letra nuk mund të them më tepër. Mendoj që Besëlidhja e meriton një pallat sporti, ashtu sikurse e meritojnë të gjitha ekipet, por ne jemi të vetmit pa një sallë për të zhvilluar ndeshjet në qytetin tonë. Sigurisht që do të doja shumë që të luanim në qytetin tonë dhe të kishim tifozërinë në pallatin e sportit që do të na jepte një avantazh fushe.
Finalet janë gjithmonë finale dhe pavarësisht kush do të dalë, ndeshjet janë me emocion, ka ngarkesë, pasi shpallet fituesi i titullit kampion. Na pret një seri e gjatë finalesh, sepse këtë vit formula ka ndryshuar dhe nuk është më me 5 ndeshje dhe 3 fitore, por është me 7 ndeshje dhe 4 fitore. Do të jenë shteruese si finale të them drejtën, megjithatë ne jemi të përgatitur për çdo kundërshtar që do të kemi përballë, për të dhënë maksimumin dhe për të dalë kampionë. Besëlidhja është këtu edhe falë mbështetjes së Bashkisë Lezhë dhe sponsorëve lezhjanë. Dua të përmend presidentin e ekipit, Ylli Ujka, i cili është pranë ekipit dhe me mbështetjen e tij mendoj që me përkrahjen e tij dhe të gjithë mbështetësve të Besëlidhjes, kjo skuadër do të jetë kryefjala e basketbollit shqiptar për shumë vite në vazhdim”- eshte shprehur Afrim Bilali.