Prej dy sezonesh Besëlidhja është protagonistja absolute në basketbollin shqiptar. Teksa në edicionin e kaluar lezhjanët u shpallën kampionë pa pësuar asnjë humbje, e njëjta ecuri vijon edhe në kampionatin aktual, ku janë kryesues me pikë të plota, të shkëputur ndjeshëm nga rivalët.Trajneri Afrim Bilali, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për ecurinë e Besëlidhjes, duke treguar se sekretet e rezultateve kanë qenë puna e pandalshme si dhe mbështetja e madhe nga klubi. Përtej këtij dominimi të jashtëzakonshëm, Bilali gjithashtu ka theksuar edhe presionin e madh që bëhet ndaj tyre gjatë ndeshjeve nga tifozët dhe stafet e ekipeve kundërshtare. Trajneri i lezhjanëve ka reaguar edhe për polemikat e fundit në sportin e koshit, duke u përgjigjur edhe deklaratës së bërë nga kreu i Teutës, Arqile Gorea, për largimin e presidentit të FSHB-së, Avni Ponari.
Bilali, cili është komenti juaj për sezonin e Besëlidhjes? Një sezon që vijon me ecuri perfekte, pa asnjë humbje…
Besëlidhja është një ekip, i cili në përbërjen e vet ka lojtarë shumë cilësorë, si shqiptarë, ashtu edhe amerikanë. Përveç kësaj, përkushtimi dhe stërvitshmëria e ekipit ka bërë që të kemi një performancë të tillë. Gjithashtu kjo është edhe falë punës përgjatë të gjithë vitit që klubi ka bërë me ekipin, pa shkëputur për asnjë ditë marrëdhëniet, si ato financiare, po ashtu edhe për stërvitshmërinë. Kjo ka sjellë që lojtarët të jenë mirë fizikisht, të përgatitur mirë teknikisht dhe pa dyshim përbërja e këtyre komponentëve, të gërshetuar edhe me taktikën kanë bërë që ky ekip të jetë i suksesshëm.
Që prej edicionit të kaluar, numëroni 41 fitore radhazi në kampionat. Si ia keni dalë dhe si ndiheni kur i shikoni këto statistika? Çfarë u thoni lojtarëve?
Sigurisht që 41 fitore nuk janë rastësi. Unë e kam thënë që në fillim se në këtë ekip, falë seriozitetit dhe punës që bën klubi, stafi dhe vetë profesionalizmi i lojtarëve, bën që të jemi në këto rezultate. Nuk është e lehtë, sepse, nëse do të ishte e tillë, do t’i arrinte shumëkush këto rezultate, por vjen falë mbështetjes, falë punës së përditshme dhe sigurisht objektivave të qarta që klubi ka venë për çdo lojtar, gjithashtu edhe për stafin. Objektiva për të cilat ne jemi këtu për të qenë seriozë dhe sa më profesionistë, si dhe me synime të qarta për të dalë kampion e për të fituar çdo trofe për të cilin luajmë, për të fituar çdo ndeshje kur zbresim në parket.
Sa e vështirë është të motivoni për ndeshjen e radhës një ekip me një ecuri kaq të gjatë fitoresh?
Nuk është e vështirë që t’i motivosh lojtarët, pasi një ecuri e tillë është edhe falë punës e seriozitetit të lojtarëve, kërkesës së llogarisë nga ana jonë si staf drejtues. Sfida më e madhe e ekipit është vetvetja, që ne përditë bëhemi më mirë dhe çdo ditë shkojmë në stërvitje me idenë që duhet të rritemi fizikisht, taktikisht dhe teknikisht. Pra sfida më e madhe e ekipit tonë është vetja jonë dhe për aq kohë sa jemi me këtë sfidë në mendje, besoj dhe mendoj që lojtarët janë të motivuar. Siç shihet edhe disa nga lojtarët e rinj që i janë afruar ekipit e kanë rritur lojën e tyre dhe mendoj që janë në rrugën e duhur për t’u rritur akoma dhe për të qenë disa prej tyre pjesë e Kombëtares.
Çfarë prisni nga pjesa e mbetur e sezonit?
Nga pjesa e mbetur e sezonit, presim që të jemi akoma edhe më perfektë në lojën tonë, si në fazën sulmuese edhe në atë mbrojtëse. Presim që të fitojmë çdo ndeshje dhe çdo trofe për të cilin luajmë. Kuptohet, pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar, sepse këtë vit kampionati është shumë më i fortë dhe përballjet janë shumë më të rivalizuara, sepse të gjitha ekipet janë përforcuar me lojtarë cilësorë.
Edhe pse dominimi i Besëlidhjes është evident, nuk kanë munguar as polemikat. Së fundmi, Teuta, me anë të presidentit të saj, ka akuzuar arbitrat për humbjen e pësuar ndaj jush. Cili është komenti juaj?
Në rastet e fundit shikoj që edhe trajneri i Vllaznisë, si edhe presidenti i Teutës, shprehen me mllef ndaj arbitrimit. Unë mund të them vetëm një gjë që Besëlidhja është ekipi më i mirë dhe këtë e tregojnë vetë rezultatet. Pra dominimi nuk është rastësi, nuk është se fituam një ndeshje dhe humbën shtatë të tjera. Por duke parë ecuritë e dy ekipeve në fjalë nuk mund të them që është faji i arbitrave. Mendoj që faji është diku tjetër, por kjo u përket atyre dhe ankesat janë të tyret dhe normalisht është qasja e tyre për lojën, për suksesin apo dështimin. Unë mendoj që Besëlidhja është ekip që nuk ndodhet rastësisht këtu ku është. Arritja e 41 fitore radhazi nuk është falë arbitrave, por falë punës, seriozitetit dhe përkushtimit të të gjithëve së bashku. Unë realisht mendoj që jemi larg dhe distancohemi nga çdo lloj ideje apo hamendësimi për ndonjë përfshirje në afera bastesh apo ku di unë se çfarë. Besëlidhja është për “fair play”, është ekip i pastër dhe mendoj që këtu ku jemi ndodhemi falë punës dhe djersës tonë. E bukura është se nga njëra anë thonë që Besëlidhja është ekipi më i mirë dhe më i plotësuar, ndërsa nga ana tjetër thonë që arbitrat ndikuan në rezultatin e ndeshjes.
Ndërkohë një tjetër shqetësim i juaji është edhe klima e tensionuar gjatë ndeshjeve…
Për këtë dua të përmend si rastin e Vllaznisë, gjithashtu edhe të Teutës, ku direkt pas ndeshjes janë ankuar për arbitrimin. Mund të them që edhe presioni ka qenë i madh ndaj nesh, ku në Shkodër kemi pasur disa pijanecë prapa pankinës sonë, që edhe gjatë pushimeve nuk na linin për të folur me lojtarët. Presioni ishte si ndaj nesh si staf drejtues, ashtu edhe ndaj lojtarëve. Kur ky presion na është bërë ne, imagjinoni se çfarë mund t’u bëhet arbitrave. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Teutën, sa herë që shkojmë në Durrës, presioni i tifozëve është ndaj arbitrave po e po, por gjithashtu edhe ndaj stafit dhe lojtarëve të Besëlidhjes. Ne padyshim kemi bërë reklamimet tona përkatëse në Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe shpresoj që të merren masa ndaj këtyre incidenteve, të cilat ua humbin vlerën lojës së bukur të basketbollit. Pra jemi ankuar për presionin, agresivitetin dhe sharjet nga tifozët si dhe nga stafet e ekipeve pritëse në disa ndeshje. Incidente për të cilat u kemi kërkuar disa herë komisarëve të ndeshjeve që të mbajnë shënime në protokoll, në mënyrë që të merren masa për ndalimin e këtyre situatave. Dhe së fundmi, cili është opinioni juaj në lidhje me deklaratën e Arqile Goreas, i cili thotë se Ponari duhet të largohet nga federata? Komentet e tij për presidentin e federatës janë që në kohët kur unë e kam drejtuar Teutën. Kushdo që të jetë president i federatës, ai do të jetë gjithmonë i pakënaqur për aq kohë se nuk hedhin vallen e tij. Mendoj që presidenti i federatës, kushdo qoftë, Ponari apo dikush tjetër, ka një titull honorifik, i cili normalisht mundohet të rregullojë dhe të sistemojë basketbollin. Pra, mendoj se Gorea kërkon një president që ta tërheqë prej hunde, pasi me Ponarin këtë nuk e arrin dot.