Besëlidhja e basketbollit të meshkujve ia doli të triumfonte ndaj Tiranës në finalen e Superkupës duke merituar një tjetër trofe. Ajo nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim fitoren në ndeshjen e luajtur në Fier dhe në fund ka triumfuar me rezultatin e thellë 100-57 ndaj kundërshtarit.

Trajneri i Besëlidhjes, Afrim Bilali, e komentoi kështu triumfin e lezhjanëve kundër Tiranës në Superkupë: “Surprizë nuk ishte fitorja jonë në Superkupë, por ajo humbje në Kupën e Federatës. Puna e bërë gjatë gjithë kësaj vere u shpërblye me këtë Superkupë që është edhe trofeu i parë dhe i rëndësishëm për këtë edicion. Humbja e javës së kaluar na bëri të kuptojmë që luhet për çdo ndeshje dhe çdo ndeshje është e rëndësishme.

Dua të përgëzoj djemtë për impenjimin që kanë treguar gjatë të gjithë javës dhe sigurisht të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na mbështesin në rrugëtimin tonë”, tha fillimisht Bilali, teksa më pas u ndal te loja e Besëlidhjes: “Ekipi jonë është i gatuar që të bëjë presion dhe të luajë fort, pa dyshim edhe të sulmojmë shpejt.

Në këtë finale përveçse funksionoi mbrojtja, funksionoi edhe sulmi. Lojtarëve iu thashë që detyra e trajnerit është që t’iu nxjerrë bosh, më pas nëse shënoni apo jo kosh, ajo është puna juaj. Unë besoj dhe mendoj që loja fitohet nga mbrojtja dhe ne luajtëm në mbrojtje mirë, duke arritur që ta mundim Tiranën”, u shpreh ndër të tjera trajneri i lezhjanëve pas ndeshjes./www.shkodrasport.com/