Nga Endri ÇINARI

Merkato tashmë do sjellë çdo ditë lajme dhe të reja deri në fundin e muajit. Ku zërat pavarësisht se ndoshta nuk kronkretizohen, do jenë të pranishëm në çdo skuadër. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, ku edhe shkodranët kanë objektivat e tyre në merkato.

Pavarësisht se tek shkodranët po punohet me qetësi dhe kujdes në këtë drejtim. Por objektivat janë të qarta për afrimin e një qendër mbrojtësi dhe një mesfushori në këtë sesion merkatoje. Futbollistë cilësorë në këtë periudhë është vështirë të gjesh. Dhe pistat e shumta mungojnë për thuajse të gjitha skuadrat.

Por tek kuqeblutë mund të tentojnë edhe rikthimin e disa futbollistëve që kanë lënë gjurmë në të shkuarën. Kështu si një futbollist i lirë është Darko Bulatovic. Qendërmbrojtësi malazez ka mbyllur aventurën në Kazakistan dhe tashmë është i lirë. Së fundmi ai ka vizituar edhe qytetin e Shkodrës, pavarësisht se nuk bëhet e ditur se ka pasur ndonjë takim me drejtuesit e Vllaznisë.

Për rolin e mesfushorit një emër ndaj të cilit mund të tentohet është ai i Herald Markut. Mëngjërashi nuk po aktivizohet rregullisht në Rumani dhe një rikthim i tij në Superiore nuk përjashtohet. Pavarësisht se këta dy emra nuk është se kanë pasur bisedime konkrete me kuqeblutë, ngelin një opsion interesant në merkato. Ku gjithashtu të dy futbollistët gëzojnë një respekt të madh në rradhët e tifozerisë shkodrane.