Ardit Krymi me siguri do jetë afrimi i rradhës tek Vllaznia. Shkodrani që u largua para 1 viti e gjysmë nga kuqeblutë duket shumë afër rikthimit. Pas eksperiencës në Bjellorusi me Shakhtar Soligorski, ku u shpall edhe kampion, Krymi këtë sezon do jetë pjesë e shkodranëve.
Ky afrim i 27-vjeçari kompleton repartin e mesfushës. Pavarësisht se drejtuesit duket se ende po kërkojnë edhe një element tjetër për këtë repart.
Në këtë mënyrë duke i dhuruar trajnerit Memelli disa opsione për të zgjedhur gjatë sezonit. E ky afrim i Krymit duket se ka entuziasmuar edhe tifozët shkodranë.
Tek mesfushori potent, mbështetësit shkodranë shohin një lider që mund ta udhëheqë skuadrën. Një djalë që është rritur me ngjyrat kuqeblu që në fëmijëri dhe që pavarësisht ofertave të shumta që ka pasur në drejtim, vendosi të rikthehet tek skuadra e tij e zemrës.
Duket se edhe Vllaznia po merr formën e duhur për sezonin e ri. Ku ndoshta të gjithë po e shohin me kureshtje por edhe me dyshim këtë skuadër. Që në nisjen e edicionit të ri mund të surprizojë këdo në Superiore.
Endri ÇINARI