Shqipëria do të ketë një emër të ri në listën për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Moldavisë. Florian Kamberi që aktivizohet në kampionatin skocez me skuadrën e Hibernianit ka vendosur t’i thotë po ftesës kuqezi dhe që nga java e ardhshme kur do të nisin grumbullimet, ai do të jetë nën urdhrat e Edi Rejës.
Ky lajm u bë i ditur ditën e djeshme teksa në Kosovë duket se nuk u ka pëlqyer aspak një lajm i tillë. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja palëve për të siguruar shërbimet e tij, kuqezinjtë duket se janë treguar më të shpejtë duke arritur te Kamberi, teksa në Kosovë pretendojnë se ai nuk e kishte në planet e tij aspak Shqipërinë.
Në një prononcim për “Radio Televizionin Dukagjini”, menaxheri i Kosovës, Bajram Shala u shpreh se kishte marrë fjalën nga Kamberi se po mendonte për të zgjedhur mes Zvicrës dhe Kosovës teksa Shqipëria nuk ishte fare në horizont.
“Sa për të qenë korrekt me opinionin, sa për të qenë korrekt me tifozët, sa për të qenë korrekt me adhuruesit e kombëtares së Kosovës ne duhet të themi se e kemi kontaktuar Florian Kamberin. Ka më shumë se një vit e gjysmë që e kam kontaktuar direkt Florian Kamberin. Jo me familjarët, jo me menaxherët, por direkt me Florianin.
Në atë kohë ai nuk ishte i gatshëm për ta pranuar ftesën e Kosovës. I kemi dhënë afatin për ta pritur derisa ai të jetë i gatshëm, por Florianit duket se i ka marrë shumë kohë të marrë një vendim. Pastaj këtë verë kanë filluar disa spekulime dhe unë i kam përcjellë ato te trajneri, ndonëse nuk kemi pasur ndonjë kontakt direkt të Florianit pastaj, sepse në fund të fundit, në kontaktin e fundit që kemi pasur me të ka mbetur që ai të merrte një vendim se për cilën kombëtare do të luante për Kosovën apo për Zvicrën, sepse Shqipërinë ai nuk e përmendte fare.
Si do që të jetë ai nuk është lajmëruar në mënyrën direkte te ne. Ne nuk mund të tregohemi sy mbyllur, pasi që kemi parë spekulimet në media, por zyrtare nuk kemi marrë asgjë nga Floriani deri në muajin e kaluar, kur edhe kam marrë një email nga klubi i tij ku deklarohet se ai është i gatshëm të luajë për Përfaqësuesen”, u shpreh Shala. /VipSport/