Seria A bën një hap më shumë drejt kthimit në fushën e lojës me një plan më të detajuar se sa thjesht diskutime. Pas një mbledhje të sotme të drejtuesve të Federatës me ata të Ligës dhe me komitetin shkencor mjekësor, është hartuar një plan i mirëfilltë për të bërë kthimin e sigurt drejt fushave të lojës pa frikën se do të rikthehen izolimet.

“Protokolli, i frymëzuar nga parimet e thjeshtësisë, realizimit dhe besueshmërisë, parashikon një sërë udhëzimesh dhe rekomandimesh për të identifikuar dhe ruajtur një “grup skuadre” të krijuar përveç lojtarëve, edhe nga stafi teknik, mjekët, fizioterapistët, punonjësit e bazës materiale dhe nga personeli me kontakt të afërt me lojtarët, që të gjithë këta të rezultojnë negativë”, shkruhet në këtë udhëzim.

“Komisioni rekomandon grumbullimin e mbyllur të paktën për periudhën e parë të stërvitjes. Para rifillimit të aktiviteteve, nën mbikëqyrjen e mjekut të skuadrës, para grumbullimit duhet kryer një kontroll (72-96 orë para nisjes) të cilit i duhet të nënshtrohet i gjithë “grupi i skuadrës”. Këtu përfshihen përtej ekzekutimit të testit molekular të shpejtë edhe të dhëna të tjera si teste të ndryshme e kontrolle temperature ditore. Në këtë mënyrë këshillohet rinisja me tre shpejtësi të ndryshme, fillimisht me Serinë A para se të vazhdohet me Serinë B dhe C.

Vendi i stërvitjeve duhet të dezinfektohet (përfshihet qendra sportive, palestra, dhomat e zhveshjes dhe hotelet nëse klubet nuk kanë qendrën e tyre për stërvitje). Protokolli më pas do të përshkruajë edhe menaxhimin e grumbullimit me vëmendje të veçantë për sttruktura të ndryshme, përfshirë sallën mjekësore dhe të fizioterapisë që kërkon vëmendje të veçantë.

Këto udhëzime do të përshtaten edhe për gjyqtarët, duke pasur parasysh edhe kërkesat specifike që ka kjo kategori”, shkruhej në tekstin e lexuar nga presidenti Gravina i cili kështu bëri të qartë se është gati të nisë dialogun konkret me qeverinë italiane për të lejuar kthimin e futbollit. /vipsport/