Të shtunën “Nëndetësja” Dinamo zbret në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë, në një ndeshje ku duhet të reagojë pas humbjes me Partizanin dhe barazimit me Laçin. Gjen përballë një Vllazni të karikuar nga fitorja me Egnatian, por për të mbrojtur vendin e 4-t, skuadra kryeqytetase minimalisht nuk duhet të humbasë në Shkodër.
Agim Canaj, ish-lojtari dhe ish-trajneri i Dinamos, që tri herë ka drejtuar edhe Vllazninë, e di mirë se çfarë ndeshjesh luhen mes këtyre dy skuadrave në “Loro Boriçi”. Ai pret një duel të luftuar, që në një farë mënyre do të diktojë edhe fundin e sezonit. Për Canajn, skuadra që gabon këtë herë, e komplikon jo pak objektivin.
“Do të ishte mëkat për Dinamon, nëse nuk do të shkonte në “Final 4”, sepse i ka të gjitha mundësitë. Mendoj se Dinamo luan për dy rezultate në Shkodër, fitore dhe barazim. I duhet të marrë të paktën një pikë në këtë ndeshje, që e parashikoj shumë të luftuar. Kush gabon të shtunën, e bën gjithçka të vështirë për dy ndeshjet e fundit. Te Dinamo duhet të mbledhin forcat dhe të tregojnë se e meritojnë të shkojnë në ato ndeshjet që do të luhen pas kampionatit. Sa herë që Dinamo ka qenë mirë, më pas ka marrë goditje, si i ndodhi edhe së fundi.
E përsëris, i duhet patjetër 1 pikë. Dinamo, ajo e mëparshmja, ka marrë gjithmonë fitore në Shkodër dhe uroj që kështu t’i ndodhë edhe këtë herë. Kjo skuadër do të bëhej e rrezikshme, nëse do të bëhej pjesë e ‘Final 4’, ku ndryshon shumë situata. Ka lojtarë të mirë dhe duhet ta mbyllë kampionatin në 4-shen e parë.
Vllaznia ka një bonus shumë të madh, luan në fushën e saj dhe vjen pas një fitoreje të rëndësishme kundër Vllaznisë. Motivimi për shkodranët do të jetë shumë i madh, por në anën tjetër ka edhe shumë presion, sepse duhet të ruajnë vendin e dytë, të paktën deri në fund të kampionatit.
Për mendimin tim, kjo ndeshje do të tregojë edhe nëse trajneri i ri ka bërë ndryshimin apo jo, sepse nuk mund të thuhet se Vllazninë e ndryshoi ai në Rrogozhinë me vetëm një ditë në krye të saj. Me trajnerin Osmani ishte një skuadër e bukur për t’u parë, pavarësisht ndonjë luhatjeje, siç ka ndodhur në javët e fundit. Sinqerisht, do të doja që Vllaznia të fitojë titullin kampion pas kaq vitesh dhe është ende në lojë. Shanset i ka, nëse ruan vendin e dytë, por di të them që Partizani është forcuar shumë.
Me atë që pashë në derbi, Partizani është vërtet kandidat i fortë për titullin. Sidoqoftë, ndeshjen VllazniaDinamo e pres të jetë e fortë dhe e bukur, në një atmosferë të ndezur nga tifozëria shkodrane. Ana psikologjike do të bëjë diferencën, sepse është një ndeshje që kërkon një përgatitje të lartë në këtë aspekt”- eshte shprehur Agim Canaj.