Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, pas miqësores me Adën është shprehur se skuadra ka shumë nevojë për të bërë të paktën edhe dy ndërhyrje në këtë merkato. Ai, ndryshe nga herët e tjera, ka qenë i rezervuar sa u përket afrimeve të fundit për provë pranë ekipit të tij, duke u dhënë më shumë shanse serbëve të sapoafruar. Ndërsa, për të parën herë, ka pranuar se Vllaznia ndihet e kërcënuar për të rënë nga Kategoria Superiore. Megjithatë, numri një i pankinës kuqeblu ka shprehur edhe besim e plotë që ka te grupi i lojtarëve që po stërvit në këto momente.

Profesor, një tjetër fitore në miqësoren me Adën…
Ne luajtëm me një skuadër që është në fillimet e saj. Natyrisht, nuk ka ritmin e ekipit tonë, por ky ishte një takim që na vlen në këto momente. Në fokus qenë dy futbollistët serbë, të cilët ishin për provë, por edhe pjesa tjetër e lojtarëve që kam në dispozicion. Me grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion do të kërkojmë që tanimë të bëjmë më të mirën.
Jeni i kënaqur me paraqitjen e dy serbëve?
Në pamjen e parë janë lojtarë që kanë probleme dhe nuk janë tërësisht të gatshëm. Mund të them se mesfushori, që luajti pas sulmuesit, ishte një lojtar teknikisht mirë, por pa gjendjen e duhur. Ndërsa për mbrojtësin mund të them se në një takim të tillë nuk kishte se çfarë të tregonte, duke qenë se kishte shumë disnivel mes skuadrave. Megjithatë, ne do i shikojmë me qetësi deri të shtunën dhe, më pas, do të vendosim për të ardhmen e tyre.
Prisni të tjerë lojtarë që mund të vijnë për provë?
Natyrisht që neve na duhet të shikojmë deri në fund dhe të shpresojmë për të bërë afrime. Deri në fund të merkatos presim një lojtar cilësor. Neve na duhen medoemos dy apo tri afrime, pasi kampionati ka shumë takime dhe duhet t’u ruhemi pikërisht dëmtimeve, kartonëve, të cilët mund të vijnë në një situatë shumë kritike. Kjo, pasi nga grupi i gushtit kanë lëvizur edhe dy futbollistë. Megjithatë, besoj dhe shpresoj shumë që të kemi një fillim të mbarë për pjesën e mbetur të kampionatit.
Ndihet Vllaznia e kërcënuar për të rënë nga kategoria?
Normal që jemi të kërcënuar. Duke hequr tre apo katër ekipet e para, pjesa tjetër është e kërcënuar. Na duhet përqendrim maksimal që në takimin e parë të kësaj pjese të mbetur të sezonit. Ky kampionat ka treguar se mund të fitosh më të mirën dhe mund të humbësh me më të dobëtin. Prandaj ka shumë luhatje.

Admir URUÇI