Më shumë se nëntë kampionate me fanellën blu si futbollist, pastaj zëvendëstrajner e më pas trajner. Ka fituar trofe në fushë dhe në stol. Agim Canaj i ka kaluar të gjitha fazat me Dinamon dhe megjithëse është vlonjat mbetet pa dyshim një dinamovit i thekur.

Sigurisht, i ka ndjekur zhvillimet e fundit te 18 herë kampionët dhe është i lumtur për faktin se tashmë fatin e kësaj skuadre e kanë marrë në dorë njerëz seriozë, që mund ta rikthejnë në nivelet e dikurshme. Për rikthimin e Dinamos, Canaj flet për “Panorama Sport” gjerë e gjatë.

“Më vjen mirë që Dinamon e kanë marrë njerëz seriozë. Zoti Bardhi duket se e ka marrë me qejf, por nuk është e kollajtë të investosh shumë në kaq shumë gjëra përnjëherësh. Është shumë e rëndësishme që Dinamo të ketë një shtëpi të sajën dhe me sa di ka përpjekje për këtë gjë. Është ndryshe kur ke një gjë tënden dhe kur je me qira. Rëndësi ka që pas kaq shumë vitesh është pjesë e Superiores dhe do të jetë një vlerë e shtuar e saj”, deklaroi fillimisht për gazetën ish-trajneri i bluve.

“E kam ndjekur ekipin në këtë fillim kampionati. Edhe disa lojtarë i njoh mirë. Mendoj që Dinamo ka nisur një cikël që ka vështirësitë e veta. Kampionati është shumë i vështirë, i paparashikueshëm. Futbolli do kohën e vet dhe unë mendoj se tani Dinamo duhet të konsolidohet.

Tani fillon malorja e saj sepse do të përballet me skuadra shumë të forta. E di mirë këtë sepse tek ekipet që kam drejtuar e kam nisur gjithmonë nga e para. Mungesa për shumë vite kuptohet që lë një traumë në aspektin psikologjik, por është fat i madh që Dinamo ka një investitor dhe disa donatorë që kanë shpenzuar dhe e kanë marrë seriozisht.

Është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e një skuadre që të mos i mungojë asgjë. Për të marrë rezultatet, gjithçka varet nga grupi i lojtarëve, përgatitjet dhe nga stafi që e ka bërë këtë skuadër. Janë marrë lojtarë pa u ndikuar nga çmimi dhe kjo është po ashtu shumë e rëndësishme. Është gjëja më e mirë kur trajneri ka dorë të lirë.

E rëndësishme është që të funksionojnë edhe hallkat e klubit sepse një njeri i vetëm nuk i bën dot të gjitha. Në futbollin shqiptar kanë munguar paratë dhe Dinamo ka fatin e mirë që është kthyer me të gjitha gjërat që i duhen. Megjithatë, sportivisht nuk mund ta gjykojmë tani”, – ka thënë Canaj sa i përket skuadrës aktuale.