Çështja e trajnerit të ri të Vllaznisë mund të marrë zgjidhje ditën e sotme. Drejtuesit e klubit thuajse e kanë ndarë mendjen për njeriun që do ta drejtojë atë. Ai pritet të jetë Agim Canaj. Ish-tekniku kuqeblu e ka fituar mesa duket garën me shkodranin Hysen Dedja. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se mes palëve ka patur një bisedë ditën e djeshme teksa është diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit dhe shumë detaje të tjera të punës së tyre të ardhshme. Vetë drejtori sportiv Armir Grima dy ditë më parë kishte bërë të ditur se trajneri I ri do të zgjidhej Brenda së dielës dhe në këtë mënyrë tashmë gjatë ditës së sotme duhet të presim për zyrtarizimin e tij.
Nëse vërtetë është Canaj, sigurisht që ai është një trajner që ka lënë gjurmë në Shkodër me punën e tij katër sezone më parë duke qenë shumë pranë shpalljes kampion me kuqeblutë. Ai ka reputacionin e duhur dhe arsyeja kryesore pse është zgjedhur Canaj duket se ka të bëjë me atë se nuk do ndikohet nga ambjenti shkodran duke I thënë stop ndërhyrjeve që mund të jenë në adresë të trajnerit për elementin e ri që do ofrohet tek Vllaznia. Po ashtu, ky trajner tashmë me një eksperiencë të madhe, njihet edhe për disiplinën e tij të fortë dhe skuadra shkodrane ka nevojë për të në kushtet kur ekipi do jetë thuajse tërësisht I përbërë nga futbollistë shkodranë dhe shumica e tyre të rinj në moshë. Dita e sotme kësisoj do jetë vendimtare për zgjedhjen e trajnerit të ri dhe nesër ai mendohet të nisë stërvitjen me ekipin. Burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se ai ka filluar të bëjë gati valixhet për në Shkodër megjithatë duhet pritur derisa të zyrtarizohet emri I tij sepse gjërat mund të ndryshojnë orë pas ore. Agim Canaj gjithsesi është në “pole position” për të qenë trajneri I ardhshëm I Vllaznisë.