Tashmë nuk ka më dilema. Agim Canaj do të jetë trajneri I ri I Vllaznisë në sezonin e ardhshëm. Ky vendim pritej prej 2-3 ditësh por është zyrtarizuar vetëm paraditen e së martës. Drejtuesit e lartë të klubit e kanë studiuar mirë këtë kandidaturë dhe e kanë cilësuar si më të përshtatshme për rindërtimin e Vllaznisë. Për rrjedhojë ka ardhur edhe komunikimi për mediat duke bërë të ditur se do të jetë një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ndërkohë klubi shkodran ka bërë të ditur se krahu I djathtë I trajnerit Canaj do të jetë ish-trajneri I Akademisë Vllaznisë, shumë I suksesshëm me të, Samuel Nikaj që në sezonin e fundit ka mbajtur postin e trajnerit tek Ada dhe të drejtorit sportiv tek Burreli.
Trajner portierësh ndërkohë do të vazhdojë të jetë Elis Legata. Në këtë mënyrë ka marrë fund edhe një nga dilemat kryesore tek Vllaznia, ajo e drejtimit të saj. Ndërkohë prezantimi zyrtar I trajnerit të ri të skuadrës shkodrane do të bëhet mesditen e së mërkurës në zyrat e klubit. Po të mërkurën, pikërisht pasdite, trajnerët Canaj e Nikaj do të zhvillojnë edhe seancën e tyre të parë stërvitore me ekipin duke qenë se nuk kanë kohë më për të humbur ngaqë kampionati I ri nis pas vetëm një muaji. Zgjedhja e Agim Canajt për të drejtuar Vllazninë konsiderohet e goditur nga drejtuesit e klubit pasi ai ka lënë gjurmë të mira me punën e tij në Shkodër katër sezone më parë teksa ishte shumë pranë shpalljes kampion me të. Të gjithë shpresojnë që kjo punë të vazhdojë sërish dhe skuadra të ngjitet shumë shpejt në vendin që I takon.