Agim Ibraimi ka folur në pushimin e ndeshjes Partizani – Kukësi (2-0). Mëngjërashi që luante më parë me verilindorët është aktualisht pa skuadër. Në një prononcim të dhënë për Oversport, sulmuesi la të hapur mundësinë e rikthimit në Superiore. Në fjalën e tij për gazetarin Tujani, ai tha:

“Nuk e di ende. Kam pasur pak probleme me shpinën. Në janar do të shoh. Kukësi? Nuk e di, nuk e kam menduar. Do të shoh. Niveli? E kemi ndjekur të gjithë kampionatin e Shqipërisë. Është mjaft tërheqës, është ndryshe nga Liga e Maqedonisë. Partizani dhe Tirana janë më dominuese dhe e dijnë se çfarë kërkojnë. Jo më kot janë në vendin e parë.

Janari? S’mund të them asgjë në këtë drejtim. Respektoj këdo që jep për futbollin shqiptar. Kushtet që jep Superliga e Shqipërisë, meriton së paku Conference League.

Këshillë? Për momentin dhe situatën ku është Kukësi, vetëm të jetë më dominuese. Të shfrytëzojë rastet që i vijnë”, tha ai.