Vllaznia kërkon të përforcohet me patjetër në repartin ofensiv. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se, tashmë në fokus është një futbollist i kampionatit shqiptar, pas zyrtarizimit të Lorik Boshnjakut dhe Dajan Shehit.

Më konkretisht, bëhet fjalë për ish-futbollistin e Dinamos, Agim Ibraimi, i cili ka shfaqur një nivel të lartë gjatë këtyre sezoneve që ka luajtur në Shqipëri, si me Dinamon së fundmi, ashtu edhe me Kukësin, teksa ka edhe eksperiencë të mjaftueshme.

Në fakt, deri më tani nuk ka patur akoma bisedime mes palëve, por burime të “Shkodra Sport” mësojnë se ai është në fokusin e Vllaznisë, teksa edhe kontaktet ndoshta nuk pritet të mungojnë gjatë këtyre ditëve.

Dëshira e presidentit Alban Xhaferi ishte të afronte në merkato futbollistë nga tregu ballkanas dhe ai shqiptar, teksa një gjë të tillë e deklaroi edhe ai vetë pak ditë më parë në “Sport Arena” në TV Rozafa dhe deri në këtë pikë, duket se po i qëndron dëshirës së tij.

Baza e skuadrës do të jetë me futbollistë vendës dhe që e njohin mirë Abissnet Superiore. Gjithashtu, në sulm pritet një “bomber”, por deri tani nuk ka pasur asnjë gjë zyrtare të konfirmuar akoma. Mundësitë më të mëdha janë që sulmi të jetë i huaj, por gjithsesi ka disa mundësi dhe mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI