Agim Medja, ish-sekretari i klubit të futbollit Vllaznia, në një emision sportiv në një prej mediave lokale ka analizuar problematikat që ka pasur kjo skuadër gjatë kësaj periudhe. Për Medjan, largimi i një tekniku dhe zëvendësimi i tij me një tjetër nuk mund të ishte zgjidhja më e mirë për momentin, gjithmonë nëse stafi teknik me Duron në krye e ka gjithçka nën kontrollin e vet. Një deklarim të tillë, Duro e ka theksuar në gjithë daljet e tij para mediave. Kjo, sipas Medjas, do të ishte e mjaftueshme që tekniku të vijonte punën e tij, por gjithmonë nëse nuk ka një ftohje të marrëdhënieve të tij me drejtuesit e tjerë.
“Mendoj se nuk ka shumë kohë në dispozicion për të filluar çdo gjë nga e para. Duhet të kihet kujdes në këtë pikë, pavarësisht se duket se ka kohë të mjaftueshme. Trajneri e ka shprehur disa herë që ka gjithçka nën kontroll dhe, nëse është kështu, atëherë nuk ka pse të bëhen lëvizje. Ndërkohë që tjetër gjë është nëse ka një ftohje mes trajnerit Duro dhe drejtuesve të klubit. Madje, edhe për afrimet e bëra duhet të shikohen me kujdes cilësitë e tyre. Drejtuesit e klubit të Vllaznisë duhet që të mos nguten për të bërë lëvizje, të cilat mund të kushtojnë jo vetëm financiarisht, por në tërësi. Kjo, pasi një teknik tjetër do të kërkojë ashtu si Duro kohë të mjaftueshme për harmonizim, lojtarë cilësorë, të cilët këtë periudhë janë me pikatore. Ndaj në këtë drejtim krerët duhet t’i vënë shpejt pikat mbi “i”, pasi kohë ka dhe nuk ka. Mendoj se ka mënyra të tjera për të motivuar dhe për të bërë që kjo skuadër të funksionojë”.
Analiza – Në Shkodër ka filluar të flitet shumë tani për analizën që kryebashkiaku i Shkodrës dhe njëherësh presidenti i Vllaznisë, z.Lorenc Luka, do të zhvillojë me krerët më të lartë të stafit administrativ dhe teknik të klubit. Një analizë, ku do të shikohet ndoshta lëvizja e Duros apo vazhdimësia e tij në krye të kësaj pankine, por edhe masat e largimit për 5 nga lojtarët e shumëpërfolur apo edhe gjobat, të cilat janë të pritshme në raste të tilla. Për ish-sekretarin e klubit Vllaznia, zhvillimi i kësaj analize është e vonuar, duke qenë që duhej të ishte bërë në herët. “Sa i përket analizës, unë nuk mund ta di se çfarë mund të ndodhë, veçse mund t’ju them vetëm një gjë: një analizë e tillë duhej të ishte zhvilluar më herët dhe të mos ishte pritur kjo mbyllje. Edhe ekipi në Krujë duket se po priste me padurim që të zhvillohej analiza. Dhe, për mendimin tim, kjo ka ndikuar jo pak në ‘gatimin’ e atij takimi. Analiza duhet të ishte bërë edhe në rastet kur skuadra ka fituar, edhe pse ka luajtur dobët. Gjithashtu, një analizë më e thellë duhet të ishte bërë kur ekipi u eliminua nga kupa. Duhet të ketë një kërkesë më të madhe llogarie nga ana e drejtuesve për stafin e lojtarët dhe jo të mendohet vetëm në fund”.
ADMIR URUÇI