S’kishte si të ndodhte ndryshe. Nëse Shkodra e ka marrë pak shtruar çështjen e nderimit të kësaj figure të madhe, Berdica- vendlindja e tij, do ta bëntë më shpejt. Për rrjedhojë, këshilli i Komunës Berdicë në mbledhjen e tij të fundit, ka vendosur për t’i dhënë titullin e lartë “Qytetar Nderi” Agim Tafilit (pas vdekjes). Pikërisht për kontributin e tij të madh në sport, për lartësimin e emrit të Berdicës dhe për shumë merita të tjera. Ceremonia për dhënien e këtij titulli është zhvilluar ditën e djeshme në ambjentet e komunës. Kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni përveç drejtuesve të Komunës, edhe drejtuesit e lartë të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ish-kolegë të Tafilit, familjarë miq e të ftuar të tjerë.

I pari që ka hapur aktivitetin ka qenë pikërisht kryetari i këshillit të Komunës Nikolin Shati që përveçse ka evidentuar figurën e Agim Tafilit dhe kontributin e madh në sport, ka përmendur edhe të tjerë çiklistë që ndoqën rrugën e tij në këtë sport si Sytki Tafili, vëllezërit Gëzim dhe Agim Ferracaku, Mehdi Selmani, Leonard Kola, Bilal Meta, Shkelqim Dini, Tonin Matija, Fatbardh Aleti etj. Më pas kryetari i Komunës Besnik Brahimi i ka dhuruar pllakatën me titullin përkatës djalit të Agim Tafilit- Alsidit. Më pas kanë folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit Skënder Anxhaku, kanë folur ish-çiklistët Burhan Berisha, Arben Pinari e Ardian Feraizaj ndërkohë që në fund kryetari i komunës Besnik Brahimi ka dhënë edhe lajmin tjetër se shumë shpejt edhe një shkolle të kësaj komune do t’i vihet emri i Agim Tafilit. Vendlindja e tij- Berdica po i bën të gjitha nderimet djalit të saj ndërkohë që këtë duhet ta bëjë edhe Shkodra sepse ky kampion ka punuar për vite me rradhë për të lartësuar emrin e këtij qyteti, emrin e Vllaznisë.

www.shkodrasport.com