Real Madridi do të duhet të mendojë së shpejti për një zëvendësues të kroatit Luka Modric i cili ende është pjesë e ‘Los Blancos’ ndonëse 39-vjeçar.

Sipas një raportimi të fundit nga medium spanjoll Gol Digital, Cristiano Ronaldo ia ka rekomanduar presidentit Florentino Perez lojtarin me të cilin ai duhet të nënshkruajë.

Bëhet fjalë për Bruno Fernandes, lojtar me të cilin Ronaldo e ka ndarë dhomën e zhveshjes tek Manchester United dhe këtë e bëjnë tek kombëtarja e Portugalisë.

Ndonëse mesfushori portugez nuk është në kulmin e tij, në moshën 30-vjeçare ai mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të ‘Djajve të Kuq’ dhe ka kontratë me gjigantin anglez deri në vitin 2027.

Pavarësisht kontratës dyvjeçare, drejtuesit e klubit kanë marrë guximin të vendosin një çmim për Bruno Fernandes.

Kemi të bëjmë me një shumë prej 90 milionë eurosh, shifër kjo që po konsiderohet e ekzagjeruar nga madrilenët duke marrë parasysh moshën e lojtarit.

Zyrtarët e United janë në dijeni se kapiteni i tyre është në axhendën e Jose Angel Sanchez, por për momentin nuk ka pasur diçka të avancuar mes palëve.

Vlen të theksohet që Fernandes nuk është opsioni i vetëm i Real Madridit, pasi ata po monitorojnë edhe dyshen Angelo Stiller dhe Martin Zubimendi./Telegrafi/