Mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit, Emanuele Ndoj, shkëputi pak ditë më parë bashkëpunimin me menaxherin shqiptar, Sokol Haxhiaj, dhe tashmë është bërë pjesë e menaxherit Mario Giuffredi, që zotëron gjithashtu dhe të drejtat e menaxhimit të Elseid Hysaj. Mesfushori kuqezi që luan për skuadrën e Brescias në Serinë B, është shndërruar në pikë referimi për ekipin e tij këtë sezon.
Kjo ka tërhequr vëmendjen e agjentit të njohur italian, që pa te Ndoj një futbollist premtues, që mund të “pasurojë” Giuffredin në të ardhmen. Për këtë arsye ai e bëri pjesë të grupit të lojtarëve që menaxhon.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme, në një intervistë për mediat italiane, Giuffredi, ka folur me superlativa për futbollistin e kombëtares shqiptare, teksa është shprehur se: “Ndoj po e ndihmon shumë Brescian të ngjitet në Serinë A. Ai është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm”, – ka thënë shkurtimisht menaxheri italian.
Emanuele Ndoj është një futbollistët më premtues të kombëtares shqiptare të futbollit, që luan në nivele profesioniste në Itali. Ai do të jetë një nga pikat ktçe të mefsushës kuqezi në vazhdim, duke i dhënë freski dhe fantazi një prej reparteve më problematik të kombëtares. /telesport/