Agjenti i Jurgen Klopp, Marc Kosicke, ka folur pasi gjermani është lidhur me një kalim tek Real Madridi për ta zëvendësuar Carlo Ancelottin i cili duket se do të largohet nga Spanja në verë.
57-vjeçari u largua nga roli i tij si trajner i Liverpoolit në fund të sezonit 2023/2024 dhe që prej atëherë nuk ka marrë në menaxhim ndonjë ekip tjetër. Ai është momentalisht shef i Global Soccer i Red Bullit dhe merret me skautimin e lojtarëve për të gjitha ekipet nën pronësinë e tyre.
Gjatë ditëve të fundit, ai është lidhur me një kalim tek Real Madridi dhe ishte raportuar gjerësisht se Ancelotti do të largohet nga ‘Los Blancos’ në fund të këtij muaji. Emra si Xabi Alonso dhe Andoni Iraola janë po ashtu në mesin e personave që po e tërheqin bordin e klubit.
Sidoqoftë, gazetari Florian Plettenberg ka dhënë një përditësim sa i përket kësaj situatë të premten.
“Ka thashetheme që e lidhin Jurgen Klopp me Real Madrid dhe brazilin. Agjenti i tij, Marc Kosicke ka thënë për ne: ‘Jurgen është shumë i lumtur me rolin e tij të ri si shef i Global Soccer tek Red Bulli’”.
“Kam kuptuar se ka interesim konkret dhe oferta për Kloppin nga disa klube të mëdha dhe disa Federata të ndryshme”.
“Sidoqoftë, Klopp nuk e ka për synim që të marrë ndonjë ekip në menaxhim sezonin e ardhshëm – madje as Real Madridin ose Brazilin. Xabi Alonso mbetet prioriteti kryesor i Real Madridit”, ka shkruar Plettenberg./Telegrafi/