Ish-presidenti i Vllaznisë në vitet 2003-2006 Agron Çela duket se ka ndër mend t’i kthehet sërish drejtimit të klubit shkodran. Në një prononcim të tij për të përditshmen sportive “Sporti Shqiptar” ai ka deklaruar se po pret shitjen e aksioneve nga Bashkia Shkodër për të blerë shumicën e tyre.
“Unë nuk e kam lënë mënjanë pasionin për futbollin dhe Vllazninë. Po pres që Bashkia të nxjerrë në shitje aksionet se kam ndër mend të blej një pjesë të konsiderueshme të tyre për të marrë përsipër drejtimin e këtij klubi dhe nxjerrjen e tij sërish kampion sepse ky qytet e meriton një Vllaznia kampioe”-mësohet të jetë shprehur ai. Se çfarë do ndodhë në të vërtetë me aksionet e Vllaznisë, kjo ende nuk dihet sepse për momentin Bashkia Shkodër duket se nuk e ka ndër mend shitjen e tyre. E rëndësishme është që biznesmenë të ndryshëm po shprehin interes për blerjen e aksioneve të saj.