Presidenti I Vllaznisë Agron Çela mbrëmë ka qenë I ekzaltuar. Fitorja ndaj Skënderbeut e ka bërë atë të ndihet mirë. Ndoshta edhe më mirë se më 23 qershor, ditë kur ai mund të fitojë mandatin e deputetit. Natyrisht, është vetëm futbolli ai që të dhuron të tillë emocione. Të flisje me numrin 1 të klubit shkodran mbrëmë, do duhej kohë. Telefoni I tij dilte vazhdimisht I zënë. Urimet që ka marrë kanë qenë tejet të shumta.  E pranon edhe vetë ai kur në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” do të shprehej: “Jam vërtetë I lumtur. Në tribunën e stadiumit të Korçës në fundin e ndeshjes jam hedhur përpjetë nga gëzimi. Ka qenë një emocion I paparë. Kisha kohë që nuk përjetoja të tilla emocione dhe këtë emocion ma dhuroi Vllaznia ime.

Jemi gëzuar ne në Korçë, por më lajmëruan se një festë e vërtetë ka qenë edhe në Shkodër. Lokalet kanë qenë të mbushura me tifozë dhe kuptohet që ata janë gëzuar së tepërmi. Kjo do të thotë se ata nuk janë larguar nga Vllaznia, kanë qene gjithnjë aty por kanë pritur të tilla shpërthime të saj dhe shpresoj që në ndeshjen e ardhshme do ta mbushin stadiumin “Loro Boriçi”. Kam marrë shumë urime sonte (mbrëmë), të njohur dhe ta panjohur, të gjithë ishin të kënaqur që Vllaznia fitoi”. Por cila ka qenë e veçanta e kësaj ndeshje për Agron Çelën? Biznesmeni I njohur nuk ka një të veçantë por disa prandaj shton: “E veçanta kryesore ishte se e nisa me këmbë të mbarë. E dytë, është se Vllaznia sonte luajti një futboll të përkryer. Futbollistët ishin fantastikë në fushën e lojës dhe kjo na jep besim edhe për të ardhmen. Së treti, u lumturuam sepse fituam ndaj Skënderbeut Brenda në Korçë dhe I shkaktuam humbjen e parë kësaj skuadre në këtë kampionat. Këto janë premisa shumë positive për të ardhmen tonë”. Tashmë puna për të ardhmen do të jetë më e lehtë për të dhe për stafin e tij. Presioni I madh është larguar. Fitorja e mbrëmshme në Korçë I jep tjetër moral skuadrës. Vetë futbollistëve që mbrëmë treguan se mund të bëjnë gjëra të mira. Nuk kishte asnjë blerje të bujshme. Nuk ishte as formacioni I fazës së parë, madje Vllaznia e mbrëmshme ka qenë shumë më e dobët sepse nuk ishin as Osmani dhe as Hysa. Nuk ishin as Vujadinoviç, kapiteni Beqiri, Deliç dhe as Rexha nga minuta e parë. Kanë luajtur të tjerë, Semina me shumë siguri në mbrojtje, Begaj me polemika në fazën e parë por I saktë mbrëmë. Tafili, Nallbani dhe 20 vjeçari Bardulla në debutimin e tij shumë bindës në mesfushë. Shto edhe të tjerët dhe ky ansambël mbrëmë ka bindur. Jo më kot e meriton edhe një shpërblim. Atë që vetë presidenti Çela u ka premtuar. I pyetur mbrëmë se sa do jetë vlera e tij, ai është përgjigjur: “Të dielën e kemi lënë t’u shtroj një drekë skuadrës për suksesin e arritur në Korçë dhe aty do jap edhe shpërblimin. Nuk dua të jap shifra por po ju them se do të jetë I konsiderueshëm”.  E meritojnë në fakt. Nisja që I kanë bërë fazës së dytë, ka qenë më e mira e mundshme për ta dhe për Vllazninë. Në veçanti për presidentin Çela dhe trajnerin Bushati në debutimin e tyre.
Gjergj KOLA