Pretendon të jetë në parlamentin e ardhshëm dhe për këtë u ka kërkuar votën edhe njerëzve të futbollit. Futbollistëve, trajnerëve, pjestarëve të Akademisë por edhe veteranëve. Ka ndodhur pasditen e djeshme në një takim që ka patur me to. E kemi fjalën për presidentin aktual të Vllaznisë Agron Çelën. Kuptohet është fushatë elektorale dhe premtime të tilla mbase janë normale megjithatë ai e thotë qartë: “Nuk janë premtime elektorale. Keni për ta parë se çfarë do bëj pas zgjedhjeve”. Salla e mbushur plot, ka mbështetur çdo fjalë të tij. Ajo që mbetet tashmë është të shihet nëse do ta mbështesin edhe në zgjedhjet e 23 qershorit me votë.
Fjalët që Çela ka thënë, kanë qenë shumë interesante. Premtime dhe projekte shumë serioze. Ai ka marrë përsipër t’I realizojë të gjitha dhe shkodranët duhet t’I besojnë këtij njeriu I cili ka 10 vite që është pranë Vllaznisë. Ja disa nga premtimet e Agron Çelës:
Infrastruktura sportive
Biznesmeni I njohur I ka të qarta ato se çfarë do bëjë në të ardhmen, gjithnjë nëse do zgjidhet deputet. Kuptohet me forcën e mandatit, me të drejtën e të qënit shkodran dhe e bërjes më të mirën për këtë qytet. “Ju premtoj të gjithëve, ua thashë këtë edhe sportistëve, se do të ndërtoj tre fusha për stërvitje. Njëra do jetë në Velipojë pranë Resortit që po ndërtoj dhe që është më I miri në Shqipëri. Projekti I saj është I gatshëm dhe do jetë një fushë e mrekullueshme. Dy të tjerat do jenë në Shkodër. Kam biseduar me kryetarin e Bashkisë dhe I kam kërkuar të më gjejë tokën e duhur për ndërtimin e dy fushave të tjera, të cilat do jenë moderne, me dhoma zhveshje shumë komode, njëra madje edhe me ndriçim. Shkodrës I duhen këto fusha sepse janë gjithë këta djem të rinj që duan të luajnë futboll dhe në fusha të tilla ata do rriten edhe nga ana profesionale”- ka thënë ai. Por presidenti I Vllaznisë nuk ka ngurruar të flasë as për çështjen e stadiumit. Kryeparlamentarja Topalli pak ditë më parë, në një takim me njerëzit e sportit pat premtuar ndërhyrjen e saj për përfundimin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi”. Kandidati-opozitar nuk e thotë këtë gjë por diçka më ndryshe. “Unë nuk marr përsipër të them se do ta ndërtojmë të plotë stadiumin. Do ndërhyj dhe do bëj çmos që stadiumi të rregullohet në paramtrat normale pikësëpari për të plotësuar të gjithë kushtet e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare aty. Më mirë kështu njëherë, se pastaj gjërat e tjera duan edhe njëfarë kohë të marrin zgjidhje”- është shprehur ai.
Presidenti- deputet
Ua ka kërkuar hapur votën. Të gjithëve njerëzve të futbollit pa përjashtim. Arsyen pse e ka bërë këtë gjë, e ka thënë edhe publikisht: “Si njeri ndjehem I plotësuar. Kam një familje të mrekullueshme, kam bizneset e mia, kam Vllazninë dhe ndoshta s’më mungon gjë. Meqë I hyra fushës së politikës, e bëra për të mirën e Shkodrës. Prandaj nëse ju më votoni, nuk do ishte keq as për Vllazninë, madje do ishte një plus shumë I madh për të. Mjafton t’u jap vetëm dy shembull. Dy vite e deputeti I Korçcës Ridvan Bode mbështeti Skënderbeun dhe e patë se ku e çoi. E keni parë se çfarë mbështetje të jashtëzakonshme ka bërë deputeti I Peqinit Dash Sula për Shkumbinin. Prandaj nëse ju më votoni për të qenë në parlament, llogariteni vetë se sa shumë do ta ndihmoj unë Vllazninë. Edhe në aspektin financiar por edhe për ta mbrojtur atë. Me mua deputet nuk do ketë njeri që do t’I vjedh gjë kësaj skuadre, nuk do ketë njeri që do I hajë hakun asaj. Pa llogaritur pastaj se nëse fiton koalicioni jonë, në bazë të marëveshjes që kemi, LSI do marrë Minsitrinë që mbulon sportin dhe unë patjetër që do kem ndikim të madh aty për të gjetur fonde për investimet në infrastrukturën sportive në Shkodër. Prandaj qënia ime deputet në parlamentin e ardhshëm, vetëm mirë do t’I bënte Vllaznisë”.
Elozhe për “kundërshtarët” politikë
Në ndonjë moment mbase ditët e fundit është aluduar edhe për ndonjë mosmarrëveshje në mes tij dhe drejtuesve të Bashkisë dhe një pjesë tjetër të drejtuesve të klubit që përfaqësojnë atë. Kjo ndoshta nisur edhe nga fakti që kontratat me tre malazezët nuk morën firmën e administratorit Fatos Gjyrezi. Por vetë presidenti Çela ka mbyllur çdo iluzion për këtë. Pavarësisht se forca politike që ai përfaqëson- LSI është në koalicionin kundërshtar me atë të cilin përfaqësojnë drejtuesit e Bashkisë. “Dua t’u garantoj të gjithëve ju se pavarësisht se ndodhemi në llogore të kundërta politike, nuk ka asnjë mosmarrëveshje me drejtuesit e Bashkisë. Marëdhëniet tona janë shumë të mira ashtu si më parë dhe të dyja palët do punojnë sëbashku për të mirën e Vllaznisë. Fakti që Grima kandidon me një forcë tjetër poltike, kundërshtare me ne, nuk do të thotë asgjë sepse respekti reciprok mes palëve është si më parë. Këtë jua siguroj dhe prandaj nuk duhet të ketë asnjë aludim për mosmarrëveshje në këtë drejtim”- ka thënë kryesuesi I listës së kandidatëve të LSI-së për Qarkun Shkodër.
Premtimi- Vllaznia kampione
Ndër të tjera Agron Çela ka folur edhe për skuadrën aktuale dhe ka bërë premtime për sezonin e ardhshëm. E ka thënë qartë se edhe për rreth 10 ditë do jetë më shumë I përkushtuar për fushatën elektorale sepse sipas tij “po luan një finale” megjithatë vëmendjen asnjëherë nuk e heq nga skuadra. Ua ka thënë të gjithëve këtë. “Unë vërtetë jam në fushatë gjatë këtyre ditëve, por edhe unë në ndonjë moment dua ta heq vëmendjen nga Vllaznia, nuk më lënë njerëzit, nuk më lënë tifozët. Në çdo takim që shkoj, ata më pyesin se çfarë do bëhet me Vllazninë, kur do ta shohin atë kampione etj. Kuptohet që ky është realitet sepse jo më kot është thënë gjithmonë “në Shkodër njerëzit hanë bukë e Vllazni”. Gjithsesi edhe këto 10 ditë do të mendoj ndoshta më shumë për zgjedhjet sepse “po luaj një ndeshje finale” dhe më duhet ta fitoj atë. Pas saj, sigurisht që duke qenë edhe në parlament si deputeti I këtij qyteti, do të mendoj për shumë gjëra për Vllazninë. Do mendoj për një skuadër kampione. Kuptohet që dëshira është për të bërë një Vllazni me shkodranë dhe disa prej tyre që luajnë me ekipet e tjera, janë të gatshëm të kthehen. Në Shkodër ka shumë futbollistë, madje jo për të mbushur Vllazninë por edhe disa skuadra të tjera të kampionatit shqiptar. Kështu që, duke bërë një seleksionim të mirë mendoj se kemi për të ndërtuar një skuadër cilësore. Madje, po ju them se Vllaznia e sezonit të ri do të jetë e përbërë nga 35 futbollistë. Do të zgjerojmë edhe stafin për të punuar me to dhe për t’u dhënë të gjithëve mundësinë për të treguar vlerat e tyre. E kam të qartë se kanë kaluar shumë vite që nga momenti kur ajo është shpallur kampione për herë të fundit dhe mbase në sezonin e ri, ka ardhur momenti për ta sjellë sërish këtë trofe në qytetin tonë. Do ishte shumë bukur, të festonim të gjithë sëbashku me një stadium të mbushur plot. Dhe stadiumi nuk mbushet duke sjellë shumë lojtarë të huaj por futbollistë nga Shkodra dhe rrethinat pranë saj. Ky do jetë pikësynimi ynë, kuptohet pa lënë mënjanë edhe disa të huaj shumë cilësorë. Do jem I përkushtuar maksimalisht t’u kthej gëzimin dhe buzëqeshjen shkodranëve të mi në sezonin e ardhshëm, këtë jua premtoj”- thotë Çela.
Faza përgatitore në Austri
Pas trajnerit Bushati pak ditë më parë, e ka konfirmuar dje edhe presidenti Agron Çela. Faza përgatitore e Vllaznisë do të zhvillohet në Austri. “Mund t’u them se planet po bëhen për skuadrën, për merkaton, për përgatitjet dhe gjithçka tjetër. Konfirmoj faktin se skuadra më datë 6 ose 7 korrik do të niset drejt Austrisë për të zhvilluar atje fazën përgatitore, ku do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore me ekipe të njohura”- ka thënë ai në fund të prononcimit të tij.
Gjergj KOLA