Numri 1 I klubit shkodran, biznesmeni tashmë deputet Agron Çela nuk e ka shumë të qartë nëse do të vazhdojë të jetë sërish në postin e presidentit të Vllaznisë. Fakti që ai tashmë do jetë deputet, ia bën të pamundur nga ana ligjore administrimin e fondeve shtetërore dhe për këtë arsye, ai me shumë mundësi do të japë dorëheqjen nga posti tek futbolli. Ekziston edhe një variant për kalimin e presidencës tek I vëllai megjithatë për të gjithë këto gjëra, do vendoset në takimin e nesërm me kryebashkiakun Luka. Dje, presidenti Çela ka patur një komunikim me mediat teksa ka folur pikërisht për këto çështje por edhe për shumë të tjera. Ka folur në lidhje me trajnerin Bushati, merkaton, nisjen e stërvitjes dhe shumë gjëra të tjera. Ja përgjigjet e plota të pyetjeve të bëra në adresë të tij:

-z.Çela, ashtu siç kishit thënë, menjëherë pas pushimeve të shkurtëra, do të nisnit punë me Vllazninë. Ka filluar puna në fakt?
-Siç e shikoni, sapo mbarova një takim me administratorin e klubit Gjyrezi dhe biseduam rreth të ardhmes së Vllaznisë. Po ashtu, kam qenë gjithnjë në kontakt me trajnerin Bushati dhe për momentin duket se gjendja e tij shëndetësore më ka shqetësuar dhe shpresoj që ta kemi sa më parë mes nesh.
-Tashmë pas zgjedhjes tuaj si deputet, po flitet shumë për të ardhmen tuaj në krye të Vllaznisë. Do vazhdoni të jeni sërish president I saj?
-Unë vazhdoj të jem president. Të paktën deri në mesditën e së premtes teksa në orën 12.00 kemi lënë një takim me kryebashkiakun Luka. Në fakt e kishim lënë për sot (dje) këtë takim por zoti Luka ka qenë shumë I zënë me impenjimet e tij këto dy ditë dhe prandaj e kemi lënë për pasnesër (nesër). Do jetë kjo bisedë me të që do t’I japë zgjidhje shumë gjërave. Së pari, do të shohim ligjin. Nëse ligji ma ndalon të qënurit në postin e presidentit, sigurisht që do jem I detyruar të heqë dorë megjithatë e përsëris, për momentin nuk jam duke menduar këtë gjë. Edhe nëse ndodh, ju garantoj se do jem një donator I jashtëzakonshëm për Vllazninë sepse asnjëherë nuk kam qenë larg saj dhe nuk kam hequr dorë prej saj.
-Po flitet se nëse ju jeni I detyruar të jepni dorëheqjen, mund t’ia kaloni presidencën vëllait tuaj. Sa e vërtetë është kjo gjë?
-Ekziston edhe ky variant. Gjithmonë nëse ligji nuk do më lejojë që të jem sërish president I Vllaznisë, atëherë për të vazhduar projektin që kam nisur, në bashkëpunim edhe me vëllanë tim, do të paraqesim në kohën e duhur në Bashki kërkesën që të marrë ai presidencën. Megjithatë deri tek takimi me kryebashkiakun, asgjë nuk mund të thuhet me saktësi.
-A është e vonuar Vllaznia në nisjen e stërvitjes sepse tashmë korriku ka nisur?
-Nuk mendoj se jemi të vonuar. Siç e dimë, një fazë përgatitore nuk mund të zgjasë më shumë se tre javë prandaj them se jemi në kohë për të bërë skuadër dhe për ta përgatitur ashtu siç duhet për sezonin e ri.
-Megjithatë po largohen lojtarët. Ka ikur Smajli, iku Marku dhe drejt ikjes edhe portieri Vujadinoviç. Jun në fakt thoni që do ndërtojmë një Vllazni kampione. Ku do t’I gjeni lojtarët?
-Dua të sqaroj se deri më tani ka vetëm një futbollist të larguar zyrtarisht. Ai është Marku I cili është lejuar me mirëkuptimin tonë të kalojë tek një skuadër tjetër. Sa për Smajlin, ne e kemi ditur prej kohësh se nuk do ishte në planet tona prandaj nuk do ta quaja largim.
-Por ndërkohë skuadra ka disa probleme financiare për të zgjidhur para se të nisë puna për sezonin e ri. Si do veprohet me to?
-Të jeni të bindur se bashkë me kryebashkiakun Luka do të zgjidhim gjithçka. Kjo dyshe nuk do të krijojë asnjë provlem sa I takon ecurisë së skuadrës në të ardhmen, përkundrazi do bëjë çmos për të bërë më të mirën për të.
-Sa I takon trajnerit Bushati, flitet se raportet mjekësore mund t’I këshillojnë atij një tërheqje nga detyra e trajnerit. Keni dijeni për këtë gjë?
-Siç e thashë edhe më lart, jam në kontakt të vazhdueshëm me Bushatin dhe shpresoj që shumë shpejt ta kemi në Shkodër. Unë menjëherë pas takimit që do kem me kryetarin e Bashkisë Luka mesditën e së premtes, do të udhëtojë drejt Romës për të vizituar Bushatin, për të parë gjendjen e tij shëndetësore dhe pastaj për të biseduar edhe për skuadrën dhe për planet e tij.
-A jeni duke menduar për ndonjë emër tjetër për zëvendësimin e Bushatit nëse ai e ka të pamundur të vazhdojë punën ose nëse merr ndonjë post ministror?
-Bushati është një njeri I mrekullueshëm dhe që I ka shërbyer Shkodrës. Nëse merr ndonjë post ministror, sigurisht që do ta justifikonte sepse kemi të bëjmë me një figurë të pastër. Të them të drejtën nuk kam menduar asnjëherë për zëvendësuesin e tij sepse e mendoj gjithnjë Bushatin si krahun tim të djathtë.
Gjergj KOLA

Takimi I nesërm I shumëpritur. Shpresohet të mos ketë tjetër shtyrje
Takimi I nesërm në mes kryebashkiakut Luka dhe presidentit Çela është I shumëpritur. Nga futbollistët, drejtuesit e tjerë të klubit dhe më së shumti nga tifozët e zjarrtë të Vllaznisë. Pavarësisht se numri 1 I klubit deklaron se skuadra nuk është e vonuar në nisjen e përgatitjeve ëpr sezonin e ri, realiteti është tjetër gjë. Java e parë e korrikut po shkon drejt fundit dhe nuk ka më kohë për të humbur. Nëse do ketë një shtyrje tjetër për një vendim të qartë, Vllaznia do t’I vuajë këto pasoja ngaqë sezoni I ri është në prag dhe duhet marrë vesh se kush do jetë presidenti I ri, kush do jetë trajneri dhe kush do jenë futbollistët që do luajnë me këtë skuadër.